Vuçiq: “Ndërkombëtarët po na shantazhojnë që ta njohim Kosovën, nuk do ta nënshkruaj marrëveshjen”


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare është ta “detyrojë Serbinë që ta njohë Kosovën”.

Vuçiq ka thënë se “Serbinë do ta presin javë e muaj të vështirë, pasi ai nuk do të pajtohet me këtë”, raporton “RTS” të dielën.

Vuçiq ka deklaruar se Serbia do të ketë shumë presione.

“Prandaj i vunë shqiptarët nën sanksione, të cilat nuk janë aq serioze, dhe me këtë po e shantazhojnë Serbinë, sepse kemi diçka për të humbur”, tha Vuçiq për gazetarët, pasi priti studentë nga Kosova.

Vuçiq i pyetur nëse do të nënshkruante marrëveshje, ka thënë se kurrë s’do ta bënte këtë.

“Unë e kam thënë një mijë herë që nuk do ta bëj, dhe e kam thënë në vendet më të vështira. E thash këtë në fytyrën e Scholzit, Macronit e Melonit. Aty ishin edhe Charles Michel, Borrell e Lajçak. E thash para atyre gjashtëve dhe ua kam thënë edhe më parë”, ka deklaruar Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se Serbia “vazhdimisht ballafaqohet me standarde të dyfishta dhe hipokrizi”.

“KFOR-i dhe NATO me të drejtë i referohen Rezolutës 1244 dhe ata mandatin e marrin nga ai dokument. Por, kur i pyet për normat nga e njëjta rezolutë, ata na thonë – mos shikoni nga e kaluara, por nga a e ardhmja”, tha Vuçiq.

Ai ka thënë se Serbia ka pasur propozime që të zgjidhë çështjen e të pagjeturve, porse “Prishtina nuk ka dashur që familjet e të pagjeturve të vijnë”.

“Ne e bëjmë këtë për ato familje. Ne po e bëjmë që të dashurit e tyre që të kenë paqe të qëndrueshme. Që ata të dinë se ku janë varrosur. Që ata t’i vizitojnë varret. Që të mund ta dinë se çfarë ka ndodhur. Po punojmë për ato familje”, ka thënë Vuçiq.

Duke komentuar takimin që është paraparë të ketë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Serbisë, Milan Mojsiloviq me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, ai tha se nuk pret që tema e bisedës të jetë diçka shumë e keqe.

Baby Boo