Vuçiq: Do të rrjedhë shumë ujë në Ibër e Sitnicë derisa të vijë koha që të merremi vesh me shqiptarët


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është shprehur pesimist për zgjidhje të shpejtë me Kosovën. Madje, këtë e ka thënë edhe në mënyrë figurative.

“Do të rrjedhë shumë ujë në Ibër dhe Sitnicë, derisa të vijë koha që ne të merremi vesh me shqiptarët e Kosovës”, ka deklaruar Vuçiq.

Gjatë konferencës, presidenti serb e ka konfirmuar ardhjen e tij në Kosovë duke shtuar se do ta vizitojë edhe Gazivodën, përkundër deklaratave të shumta të krerëve kosovarë për t’ia ndaluar një gjë të tillë.

Vizita e Vuçiqit do të zgjasë për dy ditë të vikendit dhe kulmojë në orën 12:00 të së dielës ku do t’iu drejtohet me fjalim serbëve në Mitrovicë.

I pari i Serbisë ka shtuar se është e pamundur që deputetët e Listës Serbe të votojnë për kryenegociator të ekipit kosovar. Madje, ai ka hedhur akuza për krime lufte ndaj Fatmir Limajt, i zgjedhur në krye të ekipit qeveritar për dialog me Serbinë.

“Lista Serbe nuk dëshironte ta mbështeste Limajn”, ka thënë Vuçiq.

Ndërsa për fjalët e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, i cili ditë më parë pati folur për një martesë në mes djalit të presidentit Hashim Thaçi dhe vajzës së Vuçiqit, ky i fundit ka thënë se pozita e tij nuk ia lejon të bëjë veprime skandaloze.

“Pas atyre fjalëve, çdo baba do ta godiste atë. Mirëpo, unë nuk mund ta bëj sepse jam president i Serbisë”, ka thënë ai.

Baby Boo