Vuçiç për vizitë në Kosovë


Presidenti serb Aleksandër Vuçiç lajmëroi se ai do të vizitojë Kosovën në fillim të shtatorit, rreth të njëjtës kohë që në Bruksel do të mbahet një raund i ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve midisi Beogradit dhe Prishtinës.

Nga Maja Zivanovic/

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç do të vizitojë Kosovën më 9 shtator për të prezantuar “udhëzimet dhe orientimet e politikës shtetërore ndaj Kosovës”, njoftoi ai të premten gjatë një vizite zyrtare në Qendrën Klinike të Serbisë, njoftoi televizioni N1.

Ai shtoi se nuk do të japë “një plan për një zgjidhje përfundimtare” për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës “sepse ende nuk ekziston një e tillë”.

Vizita e tij e planifikuar do të zhvillohet rreth të njëjtës kohë që pritet të zhvillohet një raund i ri bisedimesh në Bruksel midis tij dhe homologut të tij kosovar, Hashim Thaçi, edhe pse nuk është lajmëruar ende data e caktuar.

Të enjten në mbrëmje Vuçiç tha për RTS “ne (Serbia) kemi një territor të përcaktuar nga fuqitë perëndimore dhe një territor të përcaktuar në terren që është kundër nesh”.

Ai shtoi se serbët i quajnë kufijtë në Jarinje dhe Brnjak “kalime administrative”, pasi Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se “ne serbët nuk mund të hyjmë në Kosovë, përveç përmes kanaleve sekrete, pa kaluar atë kufi”.

Ai nuk shpjegoi se cilat ishin këto kanale të fshehta.

Vuçiç tha gjithashtu të enjten se është i bindur se nëse arrihet ndonjë marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit, “ne (Serbia) do të kemi më shumë sesa kemi sot” dhe i kërkoi të gjithë serbëve të tregojnë “shumë më tepër tolerancë” ndaj një marrëveshjeje të mundshme.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, të cilën Beogradi e kundërshton. Megjithatë, parakushti kryesor i BE-së për ofertën e Serbisë për anëtarësimin në BE është që ajo të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

Lajmërimi i Vuçiçit për vizitën e tij në Kosovë vjen pothuajse tre javë pasi ai propozoi se një mënyrë për të normalizuar marrëdhëniet midis tyre mund të jetë një lloj ndarje e Kosovës – një ide e kritikuar ashpër nga zyrtarët dhe akademikët rajonalë dhe europianë dhe u refuzua hapur nga kancelarja gjermane Angela Merkel këtë javë.

Ndërkohë, zëdhënësi i Komisionit Europian Carlos Martin tha për gazetarët në Bruksel të enjten se Prishtina dhe Beogradi do të vendosin për çështjet që do të diskutohen në shtator gjatë raundit të tyre të ardhshëm të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja që synon normalizimin e marrëdhënieve.

“Një zgjidhje afatgjatë do të thotë një zgjidhje e qëndrueshme dhe realiste në përputhje me të drejtën ndërkombëtare,” tha Vuçiç të enjten, njoftoi agjencia e lajmeve serbe Tanjug.

Baby Boo