VMRO-DPMNE: Prokuroria të nis hetime për frikësim të familjarëve të Gruevskit


Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Dimçe Arsovski, sot në konferencë për shtyp akuzoi qeverinë për maltretim të anëtarëve të partisë së tyre, si dhe keqpërdorim të institucioneve shtetërore.

Arsovski kërkoi përgjegjësi për aksionin e mbrëmshëm të policisë për ta arrestuar Gruevskin, i cili rezultoi i pasuksesshëm.

“Ajo që ndodhi mbrëmë në selinë e partisë, ishte përndjekje politike nga Zaevi dhe LSDM. Anëtarët e partisë u kontrolluan dhe keqtrajtuan nga pushteti. Dje ishim dëshmitarë të keqpërdorimit klasik të institucioneve. Personat e dyshuar u dërguan në MPB, për t’i frikësuar. Spasovski dhe Sheqerinska duhet të përgjigjen për praninë e veturës së Ministrisë së Mbrojtjes tek selia e partisë. Duam të dimë se kush i informoi mediumet për aksionin e policisë. Kërkojmë nga Prokuroria Publike të nisë lëndë për maltretimin e familjarëve të Gruevskit dhe anëtarëve tjerë të partisë. Zaevi dje dëshiroi të frikësojë ata që mendojnë ndryshe nga ai. VMRO-DPMNE dhe Maqedonia janë viktima të Zaevit”, tha mes tjerash Arsovski.

Pas paraqitjes së Gruevskit se është në Budapest të Hungarisë, Arsovski u pyet nëse kanë pasur kontakte me ish-kryeministrin, ndërsa ai tha se nuk kanë pasur kontakte me Gruevskin dhe se nuk e dijnë ku ndodhen.

“Nuk kam informacione as për kërcënimet që ka marrë, megjithatë besoj se është ashtu”, tha shkurt Arsovski.

Baby Boo