“Vladimir Putin ka humbur ndikimin e tij në Ballkan”


“Rusia ka humbur luftën e saj për ndikim në Ballkan: nëntë nga 12 vende (përfshirë edhe Kosovën, e cila nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara), janë anëtare të NATO-s dhe të gjitha shtetet që janë në Ballkan aspirojnë të jenë ose janë pjesë e Bashkimit Evropian”.

Ky është mendimi i Leonid Bershidski, i cili për Bloomberg shkruan se megjithatë Moska nuk do të dorëzohet dhe sipas tij, po zhvillon një luftë jo të fshehtë kundër marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë, shtete të cilat u morën vesh për të zgjidhur pengesën e fundit për integrimin e rajonit në Evropë, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Kundërshtimet e forta kundër marrëveshjes në të dy shtetet janë mbështetur edhe nga Rusia. Greqia javën e fundit vendosi të depërtojë dy diplomat rus dhe të ndalojë dy të tjerë për hyrje në Greqi. Rusia dyshohet se ka provuar të ndikojë në marrëveshjen me Maqedoninë, edhe duke nxitur klerikë dhe grupe nacionaliste në Greqinë e Veriut, e cila ka komunitet të vogël rus, por me ndikim”, shkruan Bloomberg.

Më tej në artikull përmendet edhe biznesmeni grek Ivan Savvidis, për të cilin dyshohet se ka paguar rreth 300 mijë euro disa tifo-grupe në Maqedoni, për të protestuar në mënyrë të dhunshme kundër marrëveshjes për emrin në Shkup.

“Roli i miliarderit tregon se si një aktor joshtetëror, mund të përfshihet në anën e qeverisë ruse. Në Rusi greku Ivan Savvidis, ishte pjesë e Parlamentit të Rusisë, por dështoi të rizgjidhet në vitin 2011. Vitin e ardhshëm ai e bleu klubin futbollistik PAOK, ndërsa shiti biznesin me duhan “Donskoy Tabak” për 1.6 bilion dollarë”, shkruan Bloomberg, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Megjithatë Rusia ka mohuar ndërhyrjet në Maqedoni, edhe përkundër qëndrimeve të saja se anëtarësimi në NATO nuk është në interes të vendeve të Ballkanit. Sipas Bloomberg, nuk ka mënyrë që Rusia realisht mund të pengojë anëtarësimin në BE të shteteve të ish-Jugosllavisë, përfshirë edhe “Maqedoninë e Veriut”.

“Kjo është loja e Rusisë me SHBA-në dhe vendet e BE-së. Problem për hir të problemit është diçka më e vlefshme për Putinin, edhe pse ai nuk mund të shpresojë për ndonjë fitore të madhe. Kjo është diçka që kundërshtarët e Putinit duhet të mbajnë mend: Për Moskën, nxitja e ndarjeve të brendshme është qëllim në vetvete”, shkruan në fund Bloomberg.