Zyrtarë të UEFA-s dhe FIFA-s kanë vizituar të hënën Federatën e Futbollit të Kosovës. Servet Yardimci dhe Luca Nicola të UEFA-s dhe si Sofia Malizia e FIFA-s janë takuar me drejtues të FFK-së, por edhe me disa përfaqësues klubesh.
Sipas FFK-së, vizita është e jashtëzakonshme.
“Delegacioni po qëndron për vizitë të jashtëzakonshme në Kosovë për t’u njoftuar nga afër me zhvillimet e fundit rreth FFK-së, procesin e licencimit nga MKRS-ja dhe vështirësitë me të cilat po përballen klubet. Përfaqësuesit e UEFA-s dhe FIFA-s i dëgjuan me vëmendje të gjitha shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e klubeve. Premtuan se do t’i adresojnë ato në organet kompetente dhe me angazhimin e përbashkët të të gjitha palëve shumë shpejtë mund të ketë rezultate pozitive”, shkruan në njoftim.
FFK-ja vazhdon të mos ketë licencë, derisa kryetari i saj, Agim Ademi, vazhdon të jetë në arrest shtëpiak.