(VIDEO) ANËTARËSIMI NË NATO DHE DETYRAT E MAQEDONISË


Nga ftesa deri tek anëtarësimi i plotë i Maqedonisë në NATO, vijojnë disa procese në raport me zbatimin e detyrave që Shkupi dhe Athina i kanë ndërmarrë në Marrëveshjen e arritur për çështjen e emrit. Përveç kësaj Maqedonia duhet të zbatojë edhe procedurat që zbatohen nga çdo vend pretendent.

Një nga detyrat kyçe të Maqedonisë iu kumtua në vendimin për ftesë, ishte i qartë se Maqedonia mund të anëtarësohet në NATO, vetëm me ndryshimin e emrit.

Pas ceremonisë së sotme solemne të dorëzimit zyrtar të ftesës, javën e ardhshme vendi duhet të merr plan prej NATO-s, i cili ka të bëjë me përfundimin e reformave teknike- luftarake dhe duhet të ndiqet në mënyrë precize. Ky plan është identik për secilin vend pretendent për anëtarësim.

Praktikisht, do të ketë dy sesione, një për çështje politike dhe një për çështje teknike dhe një gjë e tillë është e njejtë si me çdo vend tjetër pretendent në të kaluarën.

Por Maqedona ka edhe detyrë specifike, gjegjësisht detyrë të brendshme, pra implementimin e plotë të Marrëveshjes me Greqinë, në bazë të së cilës edhe NATO do të bëjë vlerësimin.

Detyrat luftarake teknike dhe ato politike, do të duhet të plotësohen në 4 deri 6 muajt e ardhshëm,  ndërsa në ndërkohë do të jetë e nevojshme që të përfundohet edhe procedura për ratifikimin e referendumit në raport me marrëveshjen  dhe të zbatohen ndryshimet kushtetuese.

Sipas vlerësimit të koordinatorit nacional për NATO, Stevo Pendarovski, që është edhe pjesë e delegacionit qeveritar në Bruksel, dikund rreth mesit të janarit të vitit 2019, nëse gjithçka do të zhvillohet me sukses, do të duhej të përfundonin edhe këto bisedime dhe pas kësaj vijon ratifikimi në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare, që do të mund të zgjaste rreth një vit.

Maqedonia për herë të parë u bë kandidate për anëtarësim të barabartë në Samitin në Uashington në vitin 1999. Deri më tani më afër hyrjes në Aleancë, Maqedonia ka qenë në samitin në Bukuresht në vitin 2008, kur edhe Greqia vendosi veto për shkak të çështjes me emrin.