Vetëm 7 raste të reja, mbi 220 persona janë shëruar, të gjithë në shtëpi dhe me ndihmën e mjekëve amë


Numër optimist i rasteve të reja dhe rritje e numrit të të shëruarve. Me 7 rastet e reja që janë diagnostikuar sot, për herë të parë pas një muaji në vend është regjistruar numër një shifrorë i të infektuarve. Numri i të shëruarve është tre herë më i madh dhe shënon 27 persona, të gjithë të shëruar në kushte shtëpiake. Në bilancin e sotëm ka edhe një paciente 70 vjeçe që ka ndërruar jetë, e cila në Spitalin 8 Shtatori është pranuar më 8 prill dhe që atëherë gjendja e sajë ka qenë e përkeqësuar. Por a janë këta numra pasqyrë e gjendjes reale apo është për shkak të numrit më të ulur të testeve? Ministri Venko Filipçe tha se kjo nuk do të thotë se e kemi tejkaluar kulmin e pandemisë.

“E dinim se do të ulet numri i testeve gjatë kohës së festave, kjo ishte e pritshme. Gjatë javës së kaluar kishte një variacion tjetër nga numri i madh i pacientëve, për çka epidemiologët vlerësojnë se është vetëm variacion, edhe tani vlerësojmë se ende nuk kemi hyrë në periudhë ku piku (kulmi) është kaluar dhe tani mund të presim që në mënyrë të njëpasnjëshme më shumë ditë numri i rasteve të ulet”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Filipçe tha se rritja e numrit të infektuarve të rinj është lineare dhe se sistemi shëndetësor me sukses po përballet me trajtimin e të sëmurëve. Kapacitetet shëndetësore nuk janë të ngarkuar dhe se ka mjaftueshëm respiratorë të lirë. Bilanci i të shëruarve nga gjithsej 1231 deri më sot është 224 persona, të gjithë kryesisht të shëruar në kushte shtëpiake. Filipçe tha se mënyra e shërimit dhe terapisë është caktuar nga mjekët amë.

“Pacientët që janë në mjekim shtëpiak mjekohen sipas rekomandimeve të mjekëve amë, në përputhje me sistemin, marrjen e barërave nga barnatore. Kështu që mjekët amë, në koordinim, nëse ka nevojë, me infektolog, nga Klinika e Shkupit apo nga Reparti lokal infektiv, e menaxhojnë punën në lidhje me terapinë”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Filipçe informoi edhe për testimet në burgun e Shutkës ku paraprakisht ndërroi jetë një i burgosur i cili ishte pozitiv me Kovid-19. Nga rreth 50 teste, të gjithë janë negativ, ndërsa mbetet enigmë si është infektuar i burgosuri. Për rastin në Veles tha se ka kryer ekspertiza në market, pas çka 15 të punësuar janë dërguar në vetë-izolim, si dhe një person nga Qendra për shëndet publik.

Baby Boo