Veseli bën thirrje për qetësi në veri të Kosovës


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar në lidhje me dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave veriore të Kosovës. Sipas Veselit vendimi i tyre është i ngutshëm, si dhe ai ju ka bërë thirrje qytetarëve të veriut për qetësi. “Dorëheqja e katër kryetarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës është një vendim i ngutur dhe i dëmshëm për qytetarët e këtyre komunave si dhe për klimën e marrëdhënieve mes komuniteteve në Kosovë. Ftoj të gjithë qytetarët e veriut për vetëpërmbajtje, për një reagim të qetë dhe të ekuilibruar ndaj situatës së krijuar ditëve të fundit. Republika e Kosovës është e angazhuar që të respektojë të drejtat dhe interesat e çdo shtetasi të saj, prandaj problemet duhet të zgjidhen në mënyrë të matur dhe vetëm nëpërmjet rrugëve politike dhe dialogut. Kosova gjithashtu do të vazhdojë të bëjë maksimumin për të përmirësuar bashkëjetesën ndëretnike brenda vendit dhe për të konsoliduar stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në rajon.”, ka shkruar Veseli në Facebook. Sot në seancën e jashtëzakonshme, kryetarët e komunave serbe në veri dorëzuan dorëheqjet e tyre: kryetari i komunës së Mitrovicës veriore, Goran Rakiq, ai i Leposaviqit, Zoran Todiq, i Zubin Potokut Stevan Vuloviq dhe kryetari i komunës së Zveçanit, Vuçina Jankoviq. Po ashtu në seancën e kuvendit të komunave serbe, u nënshkrua një deklaratë me të cilën i jepet fund çdo komunikimi me autoritetet e Prishtinës.

Baby Boo