Vdes në moshën 95-vjeçare ish-papa Benedikti XVI


Ka vdekur në moshën 95-vjeçare ish-papa Benedikti XVI, gati një dekadë pas largimit nga udhëheqja e Kishës Katolike për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Ai e ka udhëhequr Kishën Katolike për më pak se tetë vjet, deri në vitin 2013. Benedikti ishte papa i parë që dha dorëheqje që nga viti 1415, kur të njëjtin veprim e kishte bërë Gregori XII.

Pasardhësi i tij, Papa Françesku, tha se e ka vizituar Benediktin shpesh.

Edhe pse ish-papa ka qenë i sëmurë për një kohë, Vatikani kishte njoftuar se gjendja e tij ishte përkeqësuar për shkak të moshës.

Të mërkurën, papa Françesku i bëri thirrje audiencës së tij që të luten për Benediktin, për të cilin tha se ishte shumë i sëmurë.

I lindur në Gjermani, Benedikti ishte në moshën 78-vjeçare, kur më 2005 u bë njëri nga papat më të moshuar ndonjëherë.

Gjatë një pjese të konsiderueshme të qëndrimit të tij në këtë post, Kisha Katolike është përballur me akuza, padi e raportime zyrtare për abuzimin e fëmijëve nga priftërinjtë.

Këtë vit, Benedikti pranoi se janë bërë gabime gjatë trajtimit të rasteve të abuzimit, kur ai ishte kryepeshkop i Mynihut nga viti 1977 deri më 1982.

Baby Boo