“Vdekja” e Maqedonisë, Kasami: FYROM, RIM… RIP

Ndoshta, edhe do të arrijmë të zgjidhim problemin me Greqinë, me çka do të bëhemi pjesë e BE-së dhe NATO-së! Por, duhet ta dimë se përfundimisht do të humbim besimin e qytetarëve në vlerat bazë të demokracisë e kjo do të na kushtoj shumë si shoqëri. Nga referenca e përkohshme, përmes Romës legjendare drejtë përjetësisë, u prefsh në paqe vendi im!

Baby Boo

Nga Bilall KASAMI

Jo pa shkas këtë tekst do ta filloj me një përgëzim dhe urim drejtuar kryeministrit të vendit për guximin e treguar në vendimmarrje ne disa raste. Janë vendime që shkojnë në drejtim të relaksimit të marrëdhënieve me fqinjët. Marrëveshja e nënshkruar me Bullgarinë, edhe pse politikanët para tij gati se këtë çështje nuk e ngritën në nivelin e një kulti, kryeministri me vendimin e tij tregoi se kjo çështje është e paqenë, sepse e gjithë zhurma si në shumë raste të ngjashme nuk zgjati më shumë se tre ditë dhe sot as që është temë e debatit publik. Vendimi i fundit që shkon në drejtim të zgjidhjes edhe të një problemi, edhe pse jo i vetmi me fqinjët por sigurisht më i rëndi, është në vazhdën e kësaj vendimmarrjeje të guximshme dhe ndoshta vendimi më i guximshëm i një kryeministri që e ka pasur Maqedonia që nga pavarësia e saj.

Deri këtu gjithçka duket OK. Një kryeministër i guximshëm, partner të heshtur të koalicionit, një opozitë që endet dyerve të gjykatave, një epsh i paparë i disa individëve apo partive-individë, me të kaluar të dyshimtë, që të kyçen në qeveri dhe të marrin sadopak nga kulaçi i pushtetit. Por, ajo që është shqetësuese në gjithë këtë tregim ka të bëjë me mendësinë politike, e cila thuajse fare nuk ka ndryshuar që nga pavarësimi i Maqedonisë si shtet. Bazuar në këtë mendësi politike, edhe më tutje vendimet merren pa një analizë të mirëfilltë shkencore dhe të mos të flasim për ndonjë debat më të gjerë shoqëror.

Guximi i kryeministrit do të ishte ai i një burrështetasi për të cilin do të shkruante historia sikur ai guxim të ishte orientuar në drejtim të duhur. Të shpallet marrëveshja parimore për emrin me fqinjin jugor në një mënyrë të tillë është thjeshtë thënë joserioze, thuajse ia ndryshojmë emrin një fshati, banorët e të cilit figurojnë vetëm në regjistrat e agjencive qeveritare e në realitet banorët që moti e kanë braktisur. Nëse kësaj ia shtojmë edhe faktin që shumë shpejt doli se kjo ishte vetëm një ofertë nga kryeministri drejtuar homologut të tij grek, por e njëjta ofertë doli të jetë e papranueshme për palën greke, pozicionin e kryeministrit e bën shumë joserioze, përkundër kompleksitetit të pashembullt të çështjes në fjalë.
Parashtrohet pyetja logjike se si do të duhej vepruar drejtë zgjidhjes së këtij problemi. Rruga është e trasuar me vetë sistemin demokratik, vlerat e të cilit i kemi përqafuar që nga pavarësimi i Maqedonisë. Por, si duket edhe këto vlera,demokratike, i kemi pranuar vetëm në formë dhe jo në esencë. Edhe përkundër krizës së thellë, e cila gati sa nuk e solli në pikëpyetje vazhdimësinë e shtetit, kryeministrit, atëkohë nga pozicioni i liderit të opozitës, as që i shkoi ndër mend që të dalë në opinion dhe të shpall veten për kryeministër. Por, në një garë demokratike përmes zgjedhjeve, më një përkrahje edhe të partnerëve ndërkombëtarë, arriti që të krijojë shumicë parlamentare, shumicë kjo që bazuar në rregullat e demokracisë e votoi për kryeministër.

Po e njëjta rrugë, po të njëjtat vlera duhet respektuar edhe në një situatë të tillë, kur është në pyetje një çështje kaq serioze, duke nisur nga debatet publike me të gjitha shtresat e shoqërisë. Debat, që do të duhej koordinuar nga akademikë e intelektualë të pa preokupuar me të kaluarën, por të jenë të përkushtuar për të punuar për të ardhmen e shtetit dhe bashkëqytetarëve të tyre. Vërtet që kjo është rruga më e vështirë dhe ndoshta më e gjatë për të gjetur zgjidhje, por vlerësoj se do të ishte rruga e vetme e cila do të na shpinte deri te një zgjidhje e qëndrueshme dhe e pranuar nga një bazë shumë e gjerë shoqërisë.

Kjo formë e kërkimit të zgjidhjes kërkon një guxim të një burrështetasi, i cili është i gatshëm që të menaxhojë me dije proceset shoqërore në momente delikate. Edhe pse në kushtet e një ndarjeje të thellë shoqërore në shumë dimensione (etnike, fetare, politike…), përsëri duhet pasur besim të palëkundur në mençurinë sociale, e cila jam i sigurt se do të ofronte një zgjidhje shumë më të mençur se kjo e ofruar nga ndonjë këshilltar i kryeministrit, i cili ndoshta në momentet që e ka ofruar këtë emër si propozim ka qenë në gjendje gjysmë të dehur. Fundja, një herë duhet filluar ky debat shoqëror për çështje serioze. Demokracia nuk nënkupton vetëm zgjedhjet (parlamentare dhe lokale) si formë e konsultimit të demosit, gjegjësisht sovranit. Një shoqëri me vlera të avancuara demokratike këto probleme i zgjidh përmes debateve të gjera me të gjitha shtresat e shoqërisë.

As që dua të lodh publikun me dimensionin etnik dhe fetar që ngërthen në vete ky emër i propozuar. Për më shumë, do të dukej vërtet idioteske të trajtohet i ashtuquajturi përkthim në gjuhën shqipe i këtij emri të propozuar, sepse këtë e konfirmoi edhe vetë kryeministri kur deklaroi se as që është i rëndësishëm versioni në gjuhën shqipe. Versioni në gjuhën shqipe i emrit të propozuar është po aq i rëndësishëm sa edhe partneri, apo thënë më mirë partnerët shqiptarë të qeverisë.

Është koha e fundit që për çështje kaq serioze për gjithë qytetarët e vendit, të kemi një konsultim me bazë më të gjerë shoqërore. Përsëri, edhe pas një debati të tillë, duke e ditur se mund të dalin shumë propozime, do të duhet në fund që të vij në shprehje guximi i atij që i ka marrë votat e shtetasve për të marrë vendime. Por, kjo do të ishte rruga të cilën duhet kaluar ashtu si kalojmë përmes procesit zgjedhor drejt ndryshimit të elitave udhëheqëse me shtetin, edhe pse shumë politikanë do të kishin preferuar pushtet të pakufizuar.

Edhe pse u tentua që të deformohet, kuptimi i vërtet i RIDEFINIMIT është po ky. Thënë me fjalë të tjera, tani dhe këtu Maqedonisë i duhet që të ridefinojë mënyrën e vendimmarrjes. Nga një vendimmarrje nga lartë poshtë, drejt një vendimmarrjeje nga poshtë lartë. Vetëm atëherë do të arrijmë që të konsumojmë drejtë vlerat aq shumë të promovuara demokratike.

Mbase edhe kjo çështje do të kalojë duke u bazuar në argumentin e forcës e jo në forcën e argumentit. Ndoshta, do të kemi një emër të ri për shtetin! Ndoshta, edhe do të arrijmë të zgjidhim problemin me Greqinë, me çka do të bëhemi pjesë e BE-së dhe NATO-së! Por, duhet ta dimë se përfundimisht do të humbim besimin e qytetarëve në vlerat bazë të demokracisë e kjo do të na kushtoj shumë si shoqëri.

Nga referenca e përkohshme, përmes Romës legjendare drejtë përjetësisë, u prefsh në paqe vendi im!