Vazhdojnë vjedhjet në Postën e Maqedonisë


Në “Postën e Maqedonisë” vetëm po akumulohen problemet, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me financat. Edhe pse në raportet e revizorëve, vazhdimisht po nënvizoheshin të gjitha parregullsitë, megjithatë ato përfundonin në sirtar, pa pasur përgjegjësi nga askush. Në raporte janë cekur se nga Posta, gjatë 14 viteve të fundit janë vjedhur më shumë se 133 milionë denarë dhe se asnjë institucion nuk ka reaguar deri më tani.

Drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muharemi, na konfirmoi se ekipet e tij tashmë një periudhë më të gjatë janë në Postën e Maqedonisë, por se punojnë në rast tjetër i cili është në procedurë parahetimore, prandaj siç thotë, nuk mund të zbulojë më shumë detaje.

Sllagjana Taseva nga “Transparensi Interneshënal”, thotë se me vite të tëra kanë alarmuar për vjedhjet dhe shkurtimet që paraqiten në Postë, por se deri më tani kanë hasur në vesh të shurdhër nga organet kompetente. Taseva konsideron se Faji duhet të kërkohet tek institucionet.

“Kjo nuk është informacion i ri. E dimë se atje ka vjedhje dhe se merren para nga atje. Edhe revizorët më parë pohonin se atje mungonin para. Nuk mund të ndodhë që atje vazhdimisht të ketë vjedhje, e askush të mos reagojë. Ka institucione, ka polici, ka Drejtori për të Ardhura, le të punojnë. Deri më tani, ato Ndërmarrje Publike dhe ato institucione kanë shërbyer për ta financuar politikën, prandaj askush nuk i kontrollonte. Vazhdimisht emëronin njerëz partiakë që janë të paprekshëm dhe prandaj institucionet nuk e kryenin punën e tyre”, tha Sllagjana Taseva, “TRANSPARENSI INTERNESHËNAL”.

Njeriu i parë i “Postës së Maqedonisë”, për TV21, tha se të gjitha vjedhjet janë paraqitur në MPB, por se akoma nuk kanë marrë përgjigje për asnjë rast.

“Ne i trajtojmë të gjitha këto shkurtime si kërkesa, për shkak se janë bërë nga autorë të panjohur dhe për shkak se në dhjetor të vitit 2005 janë vjedhur 36,5 milion denarë. Pastaj, në mars 2008, rreth 40 milion denarë dhe në shkurt të vitit 2013 rreth 13 milion denarë. Të gjitha këto janë në procedurë. Për të gjitha këto raste tashmë është njoftuar edhe policia e cila po i heton këto rastet. Ende nuk kemi përgjigje”, u shpreh Ejup rustemi, drejtor i “POSTËS SË MAQEDONISË”.

Edhe pse Shoqata Aksionare “Posta e Maqedonisë” është në pronësi të shtetit dhe raportet për punën e këtij trupi po shqyrtohen në seancat qeveritare, megjithatë nga Qeveria na thanë se përgjigje po kërkojmë në adresë të gabuar. Tani për tani nuk kemi qëndrim as nga Prokuroria Publike Themelore lidhur me atë nëse dhe kur do të ndërmarrin masa në drejtim të zbardhjes së vjedhjeve në Postën. Nga MPB-ja, paralajmëruan se brenda disa ditësh do të marrim informatë – deri ku janë hetimet për vjedhjet e bëra në Postën e Maqedonisë dhe nëse eventualisht do të zbulohet se kush është kryesi i kësaj vepre. Drejtori Rustemi, shpreson se më në fund institucionet kompetente dhe Qeveria do ta gjejnë fajtorin për keqmenaxhimin e deritanishëm financiar me Postën.

Përgatiti: Dançe Azmanova

Baby Boo