VARROSUR PËR SË GJALLI NË NEVOJTORET E BURGUT


Nga Ylli Galina

Aleksandër Sirdani (mbytur në Koplik 31 korrik 1948) qe dhe poet (shkroi në poezi “Dekalogun”), prift jezuit, folklorist, etnograf e publicist. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në gropë fekalesh, nevojtoret e burgut.

Mbi jetën e tij shkruan se leu në vendbanimin e Bogës së bajrakut të Kelmendit, në krahinën e Malësisë së Madhe, me emrin Lekë, djali i dytë i Dakës dhe i Tringës, pas Gjetos.

Qysh në vogëli i takoi të pësonte humbjen e së ëmës. I ati, Dakë Sirdani, mbetur i vejë e duke mos dashtë të martohej përsëri, iu përshkushtua edukimit të të bijve, Marinit dhe Lekës. Shpërngulen për në Gucí, ku kishin miq e të afërm. Varfëria e madhe e bëri Dakën me lypë ndihmë… Leka 7 vjeçar pranohet në kolegjin Saverian. Më tej iu mundësua të vijonte studimet në Austrí, në Insbruk. Me të ardhur në Shqipëri, çon meshën e parë më 24 prill 1916. Shërbeu si famullitar në Malcí të Madhe, Reç, Shkrel, Bogë.

U përkushtua për mbledhjen e pasurisë shpirtërore kombëtare: legjendat, mitet, përrallat, fjalët e urta, traditat deri tek bestytnitë e lashta që ndesheshin nepër malësi. Bashkë me miqtë e tij, Át Donat Kurtin e Dom Nikollë Gazullin, porsi dielli lulkat e mollës e ftoit, posi bleta nektarin e besimit në punët mamute, mblodhën një pasuri shpirtërore që do ishte korpusi i vërtetë etnografik i popullit shqiptar.

Më 1945 Dom Lekë Sirdani ishte famullitar në Bogë, kur dhe nisi hatashëm persekutimi dhe perndjekja.

Me datë 26 korrik 1948 Dom Leka, si e thërriste populli, i mbushun me mllef për çka po ndodhte, por edhe me një besim gati biblik, në meshën e së djelës, atje në Bogën e tij, u tha besimtarëve: “Vëllazën e motra, nji re e zezë na ka mbulue, por mos u trembni, sepse edhe ajo do të kalojë e një re e bardhë do të vijë përsëri e na do të dalim përsëri në dritë si gurët e lumit mbas shiut kur dielli i shkelqen”, duke huazuar vargun e famshëm nga Eposi i artë i Kreshnikëve.

Më 27 korrik 1948, duke gjetë si pretekst fjalët e predikut të një dite më parë, e arrestuan, e tërhoqen rrëshqanë mbas kalit prej boge në koplik, sa arriti në burgun famëkeq të koplikut pa këpucë e veladon saqë nuk dallohej çfarë ishte, ku filluan mbi të, ashtu si edhe mbi meshtarë të tjerë, torturat më çnjerëzore.

Për fundin e Aleksandër Sirdanit dëshmon i bashkëburgosuri në qelitë pranë, Atë Anton Luli, i cili thotë: “Dom Aleksandrin e futën në burg dhe e dënuen në mënyrë barbare. S’patën pikë mëshire për të. E rrahën aq randshëm, sa që goditjet ndigjoheshin fort, deri në qelinë time, pak ma larg qelisë së tij. Ai i duronte torturat pa bëzajtë. por në orë të ndryshme të ditës, burgu tundej nga zani i tij: “Kam etje! ujë, ujë, se po des!”. Britma dridhte mure e shpirtna. Na shkaktonte dhimbje, ma fort se varrët, që edhe ne nuk na mungojshin. S’mërrij me e përshkrue, si duhet, atë skenë. E as ju nuk mundeni me e përfëtyrue, sepse asht jashtë çdo arsyeje njerëzore.

Vazhdon të rrëfejë dëshmitari i ngjarjes, Atë Anton Luli: “Roja më tregoi: – “EHHH, I SHKRETI, SAPO E HODHËN NË NEVOJTOREN E BURGUT!” Atëherë i thashë rojes se ndihesha keq e iu luta të më shoqnonte në banjo. M’u gjegj se nuk kishte ardhë ende orari. Po unë vijova t’i lutem ankthshëm, e ai më shoqnoi, pa fjalë. Çova sytë për ta falënderue, e pashë se edhe sytë e tij ishin mbushë me lot. Edhe ai kjante për fundin e Dom Lekës. Kur iu afrova gropës së zezë, që shërbente si nevojtore për ne, të burgosunit, pashë se langu i zi, me pak dhé përsipër, vijonte me gurgullue. U ula, për të krijue përshtypjen se isha aty për nevojat e mia, nga frika se ndokush mund të më spiunonte e, mshehtas, me dorën që më dridhej nga tmerri, bana shpejt e shpejt një shenjë kryqi mbi trupin e atij meshtari të shkretë, që sapo kishte dhanë shpirt, i hedhun në një vend kaq çnjerëzor! Nga tronditja, u ndjeva me të vërtetë keq. Aq, sa nuk munda të çohesha prej buzës së asaj grope, që u kthye në vorr për dy prej meshtarëve ma të mirë të kishës. Roja më shtërngoi fort, tue më marrë ngrykë, si centurioni, e sytë e tij thoshin: “këta janë me të vërtetë njerëz të hyjit!”.

Kur mbërrijta, ma në fund, në qeli, bërtita sa mujta: “Deri kur, o zoti em! Deri kur!” )

1.

GULÇIMA, DEJ E GRYKË PO MË SHQYEN

Mbi kalldrëm u shtruan viktima dhe asfalt mbi

e gdhiu tirani, tebdil shqiptar, mlysh pluhuri,

të pastrojë nga yjet qiellin, nga peshqit oqeanin.

Kafshon spirancat, ballamarin në qeli hedh, çirret,

pse anija ka kuvertë? Pse anemonat s’janë të tij?

Ç’duhen inxhitë? Qafat e ylberta? Lotët? Gjinjtë?

Sokëllinë nata, fërgëllon 3 Shqipëri sllavit mbi pjata

e grekut, gjëmët e çamit, përzhitur çdo verë-vjeshtë…

“Shqiptarët? Ndër ata do parë armik në të gjitha!

Rapsodët i bart me karroetrec dhe poetët e mirë

me dekorata. Të tjerë poetë 1000 në ditë pjell!”

Nuk mund të lind dielli prapa reve me pellg zie,

as hëna, të mbështillet me lëkurë qielli,

një Zot që ka falur mbi jetë këtë Shqipëri,

do gjej shteg për zogj, për lotë, gjak si deti,

se tirani po kërkon mbi dherat e këtij populli,

kush ka vlerë, kush ka shpirtë, kush ka tru-zemër,

ai nuk shpëton, Satana do e vrasë në moment…

Nga erdhi përbindëshi që i kallë tmerrin barit,

gjethit, ujit… e kufomës së varrit

dhe fle e mbushet festa në mëlçi të Shqipërisë?

E sollën sllavët, ai nuk kishte mallë për plagët,

derisa vuajtjet e njerëzve këtu, drurëve, arave,

patosit, egos, ëndrrës… i ka plot xhenierë, poetë

dhe kanë dhembje tmerri për misht e këtij vendi,

por i hedh në fekale, i gjymton në zagarë, i kllet,

si hodhi Dom Lekën, gjuetari, pa një blu gjëme

kurrë në shpirt…

Po nga erdhi ky lolo, vojvod zhabash, bestyt përgjues,

i marrë që tallet me viktimat e tij! Varros të gjallë!

Komunist kurvë e Babilonisë së lashtë, fatzezë

që pi veç të kulluarin gjak Shqipërie të shenjtë!

E vë rojë sytë kundër zemrës, drurin kundër malit,

në mbretërinë e vdekjes me sa kokë polli idealin?

Haremin,- flamur, katranin e diellit,- himn të hiçit,

kodra me mish të grirë e gjak, mbush me degë-ullinj

dhe si turqit që vurën barut në Akropol dhe u ndez,

si shakaxhiu Hitler që pillte program mbrothësie

për njerëzimin fluturim në zhdukjen e shpejt,

si historitë greke vjedhur nga lashtësia shqiptare,

skërkat e ishujve, gropat e vrasjeve, artet e zhbëra,

ja ylli i mëngjesit të dashurisë tirani si vrau e vret

e s’gëzon as dhe zogthi cicërimën e lirisë së tij:

-Akeron Mallkimi, Hoxhë Enver që kabunin ke baba

e stafidhet brekë të zonjave që grijnë qentë gardianë,

vallë, nuk sheh si të kalojnë para syve

hije të të vrarësh, nëna, vëllezër motra, të dashura

plasur në gjëmë që dallgët e detit puthiten me re,

por gjirizet bëre qiej dhe gjakrat nxorre nga atje,

tek po lahesh nën vrushkuj mallkimi për vend,

ndërsa s’ke copë mallë për burgje shqiptarësh

në Idrizovë, Porgoricë, Beograd, Athinë… Burrel,

vegjetarianë gjakpirës me shtrëngata që dhe palcën

i nxorrën ëndrrës tonë të lashtë ata, pse të sollën ty,

tartar portier, lift-boj llumi, tamburxhi që në re,

të na bësh të gjithë helotë, skllavë Sparte të lashtë,

tek braktise dy Shqipëri tek ata që të sollën tiran

në Tiranë mbytur errësire gjak të një shekulli,

tradhti që s’njeh të tillë në botë asnjë histori!

Apo kujtove se nga stalla po bëheshe astronom

kaldean e të shpije kënetat me të vrarë në Mars?

Atje ku shpure Fishtën, Llazarin, Paskon,

Camajn, Bilall Xhaferrin… i ferrit ti gjëmimtar!

Sot je shpirt trupi i pavarrosur nga asnjë viktimë,

si i padegdisur në varr nga populli, dot të kapërcesh

lumin Stiks… dhe do bredhësh përjetë, as pa prekur

njëherë viset e të përdëllyerve…

Krahët e psherëtimave sot janë rrufe ndërgjegjesh

Baby Boo