Ueb faqja “Bli Produkte Vendore” joaktive! Qytetarët ende s’mund t’i tërheqin vauçerët


Dje duhej të publikoheshin të dhënat, por ueb faqja “bli produkte vendore” (www.kupuvajdomasni.gov.mk) as sot nuk është funksionale. Kështu qytetarët, nxënësit dhe studentët ende nuk e dinë se ku dhe si mund t’i tërheqin 3 mijë denarët me të cilët do të mund t’i blejnë produktet vendore falas.

Për këto kartela duket së më shumti kanë nevojë të rinjtë.

“Mendoj që duhet ta dimë së paku a jemi fitues të këtij vauçeri prej 3 mijë denarësh. Sigurisht se do të na ndihmojë shumë në këtë gjendje të jashtëzakonshme, se ka prind që nuk punojnë, e kanë humbur vendin e punës, dhe këto 3 mijë denarë mendoj se do të ishte ndihmë për secilën familje”, tha një qytetare.

Kartela pagesore duhet të marrin të gjithë nxënësit mbi moshën 16-vjeçare dhe studentët nën moshën 29-vjeçare. Në këtë ueb faqe studentët që nuk kanë xhirollogari personale, duke e shtypur numrin amë mund të kuptojnë se në cilën bankë dhe kur mund ta tërheqin kartelën, sqaroi kryetari i Parlamentit Studentor, Borjan Eftimov.

“Faqja duhej të hapej dje ose sot, por ende nuk është aktive. Sepse të gjithë studentët që janë të rregullt do të marrin ndihmë financiare prej 3 mijë denarë. Duke e shtypur numrin amë, studentët në këtë ueb faqe do të mund të kuptojnë se nëpërmjet cilës bankë do të mund të tërheqin kartelat pagesore. Se a ju duhet? Normal se po, studentëve do t’u ndihmonte shumë një kartelë e tillë pagesore”, tha Borjan Eftimov, Parlamenti Studentor.

Nga qeveria pa datë konkrete se kur qytetarët do t’i tërheqin kartelat, ndërkaq për ueb faqen thonë se do të nis të funksionojë së shpejti.

“Shfrytëzuesit do ta fitojnë kartelën në adresën e banimit apo mund ta tërheqin nga banka, pa aplikuar. Së shpejti, në ueb faqen www.kupuvamdomasno.gov.mk qytetarët do të mund të vërtetojnë se a i takon, gjegjësisht a janë shfrytëzues të ndonjë prej kartelave dhe cila është banka që i jep të njëjtat. Shfrytëzuesit do të kontaktohen nga bankat”, u tha nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Përveç kartelave për produkte vendore, studentët mund të jenë shfrytëzues edhe të vauçerëve në vlerë prej 9 mijë denarë. 9 mijë denarë mund t’i fitojnë edhe të papunët, kurse 40 për qind të pagës neto do të mund të fitojnë edhe punonjësit shëndetësorë.

Edhe pse qytetarët ende s’mund t’i shfrytëzojnë vauçerët, si pjesë e pakos së tretë ekonomike ato u promovuan disa herë më radhë, si nga funksionarë po edhe nga subjekte politike.

Baby Boo