U kthyen edhe 170 qytetarë të Maqedonisë së Veriut, Spasovski rekomandoi 14+14 ditë izolim

Gjithë qytetarët që kanë qenë në karantinë shtetërore për 14 ditë, ata duhet të vazhdojnë karantinën edhe 14 ditë të tjera në shtëpi, rekomandoi kryeministri Spasovski.

Baby Boo

“Nuk i vëmë në rrezik as ata persona të cilët kanë ardhur nga shtete të rrezikshme, as qytetarët të cilët ndodhen në vendin tonë”, sqaroi kryeministri Spasovski.

Përmes kompanisë së fluturimeve WizzAir, sot nga Londra janë kthyer 170 qytetarë të RMV-së.

“Pas nëntë çarter-fluturimeve për kthim të shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Malta, Kroacia, Sllovenia, Gjermania, Austria dhe Zvicra, sot në bashkëpunim me ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Londër, sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë, MPJ dhe Ministria e Shëndetësisë, MPJ organizoi çarter fluturim për kthim të qytetarëve të hasur në Mbretërinë e Bashkuar”, informoi MPJ.

Ministria informoi se nga Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi do të kthehen gjithsej 64 qytetarë të RMV-së me 19 automjete.

“Me këtë, numri i përgjithshëm i qytetarëve të kthyer në vendin tonë, përfundimisht me sot, është 2431.. MPJ vazhdon me përpjekjet për kthimin në vend të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të hasur jashtë vendit; në ditët në vijim është paraparë edhe çarter fluturim për kthim nga Belgjika dhe Franca”, kumtoi sot pasdite MPJ.

Ndryshe, deri më tani me sukses ka përfunduar karantina shtetërore për 160 qytetarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë kaluar 14 ditë në kushte të rrepta shëndetësore të sigurisë në hotelin “Ibis” në Shkup (Taftalixhe) dhe në pjesën shtesë në Demir Kapi. Tek asnjëri prej tyre nuk ka simptoma të virusit KOVID-19, ndërsa do të kalojnë edhe 14 ditë në izolim shtëpiak, në pajtim me rekomandimet shëndetësore të epidemiologëve.