U kërkua drejtësi për Abdulfetah Alimin


Organizatorët e protestës paralajmëruan se tubimi i ditës së premte ishte vetëm fillimi dhe se nuk do të ndalen deri në lirimin e Fetah Alimit

Omer XHAFERI

Për të satën e herë me radhë, nën moton “Pa drejtësi, nuk ka qetësi”, para Gjykatës Penale në Shkupit, u zhvillua protestë qytetare. Kësaj radhe protesta ishte organizuar nga familjarët dhe të afërmit e Abdulfetah Alimit, i cili javë më parë u dënua me 7 vit burg për ngjarjet e 27 prillit. Në këtë protestë morën pjesë mbi 300 protestues. Duke marshuar nga Sheshi Skënderbeu e deri para Gjykatës Penale të Shkupit, protestuesit kërkuan lirimin e sa më të shpejtë të Fetah Alimit, ish-sigurimi i Parlamentit që e shpëtoi deputetin Ziadin Sela, mbrëmjen e 27 prillit.

Maide Jashari, në emër të Këshillit organizativ të protestës për lirinë e Fetah Alimit, para protestuesve dhe mediave u shpreh se gjithkund nëpër botë personat që ndihmojnë dhe shpëtojnë jeta njerëzish shpërblehen, ndërsa vetëm në shtetin tonë ata dënohen dhe persekutohen.

“Pikërisht ne momentin kur ne pritshim që Fetah Alimi të shpërblehet dhe dekorohet për veprimin e tij heroik me 27 prill, duke ju dalë në mbrojtje deputetëve të Parlamentit, ai u dënua dhe trajtua njëjtë si dhunuesit që deshën të vrasin deputetë. Kjo është tepër dëshpëruese dhe paradoksale për faktin se u amnistuan fajtorët e vërtetë”, tha Jashari.

Akti i Alimit, tashmë të dënuar me 7 vite burg nga Gjykata e shkallës së parë, për organizatorët e protestës në asnjë moment nuk mund të minimizohet si i paqenë, për shkak se ai shpëtoi jetë njerëzish. Në mesin e shumë porosive që u shpalosën para Gjykatës, protestuesin vazhdimisht brohorisnin se duan drejtësi dhe jo mëshirë, respektivisht ata u shprehën se drejtësia nuk është pazar.

Nurie Alimi, bashkëshortja e Fetah Alimit, mes lotësh, duke folur para gazetarëve dhe protestuesve apeloi deri te organet përkatëse, si ato gjyqësore dhe politike, që atyre si familje mos t’ua shkatërrojnë harmoninë dhe ardhmërinë.

“I apeloj kryeministrit Zoran Zaev që të zbardh padrejtësinë ndaj Fetah Alimit. Ai është i drejtë. Dënimi ndaj tij është i padrejtë. Mos na e shkatërroni familjen pa nevojë. I lutem kryeministrit që të përfshihet në rast. Vetëm drejtësi kërkojmë”, tha Nuri Alimi.

Para të pranishmëve në Shkup, foli edhe ish-deputeti Hysni Shaqiri. Dënimin ndaj Fetah Alimit, e cilësoi si një proces të montuar politik. Në fjalimin e tij, mes tjerash ai shtoi se Fetahu nuk i ka dhënë çelësat, por ia kanë marrë.

“Ai i cili ia mori çelësat sot është i amnistuar. Ndërsa, Fetahu, në vend të avancimit për shpëtimin e deputeti Ziadin Sela, ashtu siç bëhet në vendet demokratike, u dënua. Deri sa nuk pastrohen këto veprime që vendit gjithnjë i sjellin krizë, këtu nuk do të ketë qetësi dhe rahati. Shqiptarët janë shtetas të këtij vendi. Ne kemi bërë përpjekje dhe luftë për ti gëzuar të drejtat e barabarta. Kemi bërë gjithçka që ligji mos të zbatohet në mënyrë selektive. Ne kemi pasur shumë raste të montuar. Po ashtu kanë ndodhur tragjedi shumë të mëdha nga situata të përgatitura nga struktura të caktuar të shërbimeve sekrete anti shqiptare. Duke filluar nga rasti i ‘Kumanovës’ apo ai i ‘Alfave’. Nga të gjitha këto procese të montuara mos të mendojë dikush se humbin vetëm shqiptarët. Nga kjo tragjedi të shqiptarëve do të fundosen të gjitha ata që i provojnë dhe u krijojnë rrethana të paqëndrueshme për jetë”, tha Shaqiri.

Organizatorët e protestës paralajmëruan se tubimi i ditës së premte ishte vetëm fillimi dhe se nuk do të ndalen deri në lirimin e Fetah Alimit.

Ndryshe, ish- pjesëtari i sigurimit të Parlamenti, Alimi, i akuzuar nga Prokuroria për krim të organizuar u dënua për veprën penale “terrorizëm”. Gjatë procesit gjyqësor e vetmja dëshmi që u publikua kundër Alimit, ishte video-materiali ku ai shihet se si ia jep çelësat e dyerve, Goran Gjoshevski-Levit, shef i sigurimit të kryeparlamentarit të atëhershëm, Trajko Veljanovski.

Baby Boo