“Tym i zi” te Qeveria: Dardan Molliqaj i fton qytetarët ta kundërshtojnë “Zajednicën”


Është mbajtur protesta kundër Asociacionit e thirrur nga Partia Socialdemokrate, e mbështetur nga Nisma Socialdemokrate, OVL e UÇK-së dhe disa deputetë të Partisë Demorkatike të Kosovës, ku është hedhur edhe tym i zi te Qeveria.

Para të pranishmëve, është deklaruar edhe kryetari i këtij subjekti politik, Dardan Molliqaj, i cili ka thënë se ryeministri Albin Kurti ka ndërruar qëndrimet e tij.

“Unë besoj fuqishëm që e vërteta është e jona. Askush në Kosovë nuk beson që duhet të lejohet entitet politik, parallel, etnik. Besoj që duhet të vazhdojmë përpjekjet tona për të ndalur qeverinë e cila u dorëzu para nevojës për të mbajtur pushtet. Kurgjo nuk ka ndërru në Kosovë, as në Serbi, që me e ndërru qëndrimin Kosova. E vetmja gjë që ka ndërru, është që kryeministri tash po e don pushtetin më shumë se sa shtetin.” – ka thënë ai.

Tutje, Molliqaj ka thënë si vijon: “Zajednica si emër paska qenë me i sulmu pushtetarët. Tani që e ka vendosë me e themelu, nuk po e quan zajednicë e Asociacion, por vetëmenaxhim. Albini ia ka ndërru vetës mbiemrin, nga Kurti, Albini sot e ka mbiemrin Zajednica, dhe është Albin Zajednica.”

PSD-ja ka hedhur tym të zi, duke thënë se kjo tregon se “qeveria e ka zymtësuar përspektivën e Kosovës”.

“Ky është tym i zi sepse ne besojmë që kjo qeveri e ka zymtësu përspektivën e Kosovës. Ftojmë qytetarët që të kundërshtojnë këtë marrëveshje, e cila paraqet zymtësi dhe gjithçka tjetër.” – tha ai.

Aktivistët e kësaj partie, po ashtu kanë zhvendosur flamujt para qeverisë, duke vendosur në shtiza famuj të bardhë, si simbol i dorëzimit të Qeveria e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Protesta ka përfunduar e qetë dhe pa incidente, pas pak minutave.

Vetëmenaxhimi?

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas përfundimit të takimeve në Ohër më 18 mars kishte pranuar atë që e tha kryediplomati evropian se do të nisnin me urgjencë bisedimet për zbatimin e nenit 7.

Ai e pranoi se është arritur një pajtim publik për aneksin, ndërsa denoncoi palën tjetër, Serbinë, që nuk hodhi nënshkrimin.

“Më vjen keq për brengosjen që mund ta kenë përjetuar (qytetarët) gjatë kësaj dite maratonike. Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Pala tjetër po i ikë nënshkrimit të marrëveshjes… tash edhe me aneks. I takon Bashkimit Evropian që ta gjejë mekanizmin për ta bërë statusin e kësaj marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme. Sa i përket Aneksit, ai do të publikohet në portalin e BE-së dhe aty do ta kuptoni edhe çka ka edhe çka s’ka.” – u shpreh kryeministri i vendit.

Baby Boo