Turqit e Maqedonisë kundër emërimit të Gjergj Dedajt si ambasador


Partia për Lëvizjen e Turqve në Maqedoni (PLT), ka reaguar lidhur me emërimin e Gjergj Dedajt, ambasador i Kosovës në Maqedoni.

Në një letër të dërguar presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, kjo parti kundërshton emërimin e tij në këtë pozitë në vendin ku promovohet multietniciteti, sipas Alsat M.

“Jemi kategorikisht kundër që një person me mentalitet fashizoid dhe primitiv të jetë ambasador në vendin tonë, i cili në çdo segment maksimalisht mundohet të promovojë multietnicitetin. Jemi të bindur se pranimi i një personi të tillë si ambasador në Maqedoni, do të rezultojë negativisht në marrëdhëniet multietnike, por edhe në miqësinë mes Maqedonisë dhe Turqisë”, theksohet në reagimin e PLT-së”.

Ditë më parë ka pasur reagime edhe në Kosovë, ku deputetët e grupit 6+ në një takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, kishin kërkuar shkarkimin e tij.

Këto reagime erdhën pasi Dedaj, ish-zv.ministër i Punëve të Jashtme, në një postim në Facebook kishte shkruar se “Turqia e Serbia kanë qenë sundimtarët më të egër të popullit shqiptar dhe se kanë bërë krime dhe gjenocid në këto troje”.

Baby Boo