Turistëve nga Arabia Saudite i’u ndalohet hyrja në restorantin e Prishtinës: Kishin veshje të papërshtatshme (VIDEO)


Turisti dhe biznesmeni Ali Aljeraisy nga Arabia Saudite po qëndron në Kosovë për gati një javë.

Atij dhe bashkëshortes i është ndaluar hyrja në një restorant në Prishtinë, për shkak të veshjeve që ata bartnin.

Menaxhmenti i restorantit në një përgjigje për RTV Dukagjinin thotë se shërbimet që ata ofrojnë, nuk janë të përshtatshme për mysafirët nga Arabia Saudite.

“Ne jemi lokal që shërbejmë alkool dhe mish derri, e nga vendi që vijnë ata turistë kjo është e ndaluar, dhe veshja e tyre ishte e papërshtatshme për lokalin tonë, pasi ne shumicën e klientëve i kemi ndërkombëtarë”, thuhet në përgjigjen e menaxhmanetit që i ndaluan hyrjen turistit arab.

Aliu thotë se edhe pas këtyre pengesave përshtypjet për Kosovën dhe popullin e saj mbesin shumë të mira.

“Ishte një situatë negative këtu. Ata na refuzuan të hyjmë në restorant, dhe për mua ishte diçka shumë e çuditshme. Kam vizituar 65 vende të ndryshme të botës dhe Evropës, mirëpo kjo ishte e çuditshme nga ana e pronarit të restorantit të më ndalonte hyrjen, duke pretenduar se veshja jonë ishte religjioze, ndërsa për ne ajo është një veshje normale”, shprehet turisti arab.

Ai megjithatë thotë se rasti është një episod i izoluar dhe se nuk ndryshon mendim për popullin e Kosovës.
“Për një javë sa jam këtu kam mendimet më të mira për Kosovën. Ai ishte një rast i izoluar që nuk më shtynë të ndryshoj mendimet e mija për Kosovën. Ne po kënaqemi këtu dhe e duam këtë vend”, thotë ndër të tjera turisti nga Arabia Saudite Ali Aljeraisy./Telegrafi