Trupat e dy kosovarëve që vdiqën në Hungari pritet të kthehen sot në Kosovë


Dy të rinj nga Kosova, vdiqën javën e kaluar në një aksident në Hungari.

Viktimat e këtij aksidenti janë Kushtrim Hoxha dhe Jetmir Rexhepi.

Ditë më parë familjarët e tyre njoftuan se si pasojë e procedurave të shtetit hungarez, ishte e pamundur tërheqja e trupave për ceremonitë mortore.

Leutrim Sahiti, këshilltar politik i ministres Donika Gërvalla-Schwarz ka bërë me dije se sot bëhet kthimi në Kosovë i trupave të dy kosovarëve që humbën jetën aksidentalisht në Hungari.

“Sot me datë 10.01.2024, familjarët kanë tërhequr trupat e familjarëve të tyre dhe sot bëhet kthimi i tyre në Kosovë. Po ashtu kemi kërkuar nga autoritetet hungareze që sa më shpejtë të kryhen procedurat dhe dje, me datë 09.01.2024 është bërë obduksioni”, tha Sahiti për Klankosova.tv.

Ai theksoi se MPJD-ja iu ka ndihmuar po ashtu familjarëve të viktimave ta bëjnë kompletimin e dokumentacionit, dhe trupat të transportohen për në vendlindje.

“Pas aksidentit autoritetet hungareze kanë kryer procedurat zyrtare që duhet ndjekur duke përfshirë raportin e aksidentit rrugor dhe atë të mjekësisë ligjore, procedurat e obduksionit (autopsisë) dhe të identifikimit”, tha ai.

Sahiti theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka qenë në vazhdimësi në koordinim me autoritetet hungareze dhe njëkohësisht edhe me familjarët e viktimave.

“Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla edhe njëherë i shpreh ngushëllime familjes Hoxhaj dhe Rexhepi për humbjen e më të dashurve të tyre”, theksoi Leutrim Sahiti, këshilltar politik i ministres Donika Gërvalla -Schwarz/ Klankosova.tv

Baby Boo