TREGTARËT ANKOHEN PËR VONESËN E PUNIMEVE NË BIT PAZAR. “SKOPSKI PAZAR’: GJITHÇKA PO SHKON SIPAS PLANIT


Punimet në ndërtimin e Bit Pazarit i kanë tejkaluar të gjitha afatet dhe nëse vazhdon ritmin e njejtë, këto punime do të zgjasnin rreth 3 vite, ndërkohë që të njejtat do të duheshin të përfundojnë maksimalisht për 16 muaj. Kështu deklaroi Kryetari i Shoqatës së Pazarxhinjëve Ekrem Dolek. Ai tha se faza e parë e ndërtimit, gjegjësisht rajoni 7 dhe 8 do të duhej të përfundojnë për 4 muaj, ndërkohë që ky afat është shkelur tashmë për 15 ditë, ndërsa punimet janë realizuar vetëm rreth 30 përqind. Dolek akuzon Skopski Pazarin për neglizhencë, ndërkaq kërkon nga Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Çairit për gjetjen e një zgjidhjeje.

Ekrem Dolek, Kryetar i Shoqatës së Pazarxhinjëve
“Për fat të keq, unë konstatoj se afatet janë tejkaluar dhe atë thellësisht, 4 mujori ka kaluar tashmë 15 ditë, dhe ndërtimi sipas mendimit tim është diku 30 për qind nuk është punuar më tepër dhe nëse vazhdon ndërtimi i pazarit në këtë mënyrë besoj se do të zgjasë 2 deri në 3 vjet, nuk është askund ajo që jemi marrë vesh që ndërtimi me zgjat prej 12 deri në 16 muaj më shumë. “

Ndërtimi i Bit Pazarit është ndarë në katër faza apo rajone, me qëllim që të mos mbeten njerëzit pa punë. Dolek nënvizon se në terren ka nervozë të madhe, pasi pazarxhinjtë janë grumbulluar në rajonet në të cilat nuk punohet dhe në këtë mënyrë ata i kanë humbur myshterinjtë e tyre që i kanë pasur për shumë vite. Problem tjetër sipas Dolek është edhe dislokimi i shitësve të luleve dhe nëse nuk gjindet një zgjidhje, ai thekson se situata do të del prej kontrolli.

Ekrem Dolek, Kryetar i Shoqatës së Pazarxhinjëve
Problemi i dytë është se lulexhinjtë prej trotuarit, prej të xhamia Allaxha, në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit dhe Komunën e Çairit i dislokuam pas ambulancës së Bit Pazarit. Por këtu lind një tjetër problem se ata 12 muaj nuk shesin lule, por i përcjellin sezonet e prodhimeve që janë atraktive për momentin. ..Në marrëveshje ka qenë, kur e kemi filluar ndërtimin e pazarit se ne do ta ndërtojmë fazën e parë të pazarit për 3 muaj dhe në ndërkohë do të sistemohen këta njerëz që shesin speca të ajvarit në hapësirat ku po bëhet ndërtimi. Askund nuk është afër për t’u bërë kjo gjë dhe ka nervoza, besoj se do të na del situata prej kontrolli dhe nervoza e njerëz është shumë e realtë.”

Nga shoqata aksionare private “Skopski pazar” mohojnë të ketë vonesa në punë. Ata thonë se punimet po zhvillohen sipas planit dhe presin përfundim të projektit në afatin e paraparë.

Skopski Pazar, Sh.A
“Siç tanimë kemi informuar opinionin, miratimi per ndërtim ka hyrë në fuqi më 21.03.2018. Punimet ndërtimore zhvillohen sipas planit, duke pasur parasysh se punohet në kushte specifike dhe të rënda për punë. Presim përfundimin e projektit në afatin e paraparë në pajtueshmëri me gjendjen në terren dhe kushtet për punë. “

Nga Komuna e Çairit thonë se lidhur me këtë projekt ata e kanë kryer obligimin ligjor të realizimit të procedurës për dhënien e lejes së ndërtimit, për vonesat në fjalë, nga komuna thonë se nuk është përgjegjësi e tyre.

Komuna e Çairit
“Pas përfundimit të procedurës ligjore të dhënies së lejes për ndërtim, përgjegjës për dinamikën e punës është vet realizuesi Ndërmarrja “Skopski Pazar” e cila ka obligim ligjor të caktojë organ mbikqyrës dhe afat përfundimtar të përcaktuar me ligj për përfundimin e punimeve.”

Edhe nga Qyteti i Shkupit thonë se nuk është përgjegjësi e tyre për punimet brenda në Bit Pazar, ndërkaq lidhur me dislokimin e tezgave, nga Qyteti i Shkupit thonë se paraprakisht janë konsultuar me qytetarët.

Qyteti i Shkupit
“Për çdo punim që është bërë në pjesën e Bit Pazarit paraprakisht janë konsultuar qytetarët edhe ata që janë prekur nga vendimi. Qyteti është kompetent për punimet në rrugë dhe trotuar ndërsa për pjesën brenda në pazar janë Qeveria, Komuna e Çairit dhe Tregu i gjelbër.”

Nga Qyteti i Shkupit shtojnë më tej se për momentin po punohet në rregullimin e korsive për biçikleta dhe se së shpejti do të ketë rend në të dyja anët e këtij bulevardit.

Baby Boo