Tre vende të Ballkanit në listën e “shteteve jomiqësore” të Rusisë


Qeveria e Federatës Ruse miratoi të hënën një listë të shteteve dhe territoreve të huaja, që, siç tha, kryejnë veprime jomiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, lista përfshin: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut – që të tria vende anëtare të NATO-s.

“Vendet dhe territoret e përmendura në listë vendosën ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë, pas fillimit të një operacioni special ushtarak të forcave të armatosura ruse në Ukrainë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë ruse, të cilën e transmeton agjencia ruse e lajmeve TASS.

Sipas këtij dekreti, raporton TASS, “qytetarët dhe kompanitë ruse, vetë shteti, rajonet dhe bashkitë e tij, që kanë detyrime valutore ndaj kreditorëve të huaj nga lista e vendeve jomiqësore, do t’i paguajnë ato në rubla [valutën ruse]”.

Lista, mes të tjerave, përfshin edhe Shtetet e Bashkuara, shtetet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Zvicrën, Islandën etj.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Urdhrin e ka dhënë presidenti rus, Vladimir Putin, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet drejt lindjes.

Ndonëse Putin e ka cilësuar pushtimin si “operacion special”, Perëndimi e ka dënuar ashpër atë dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

Sanksioneve u janë bashkuar edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Masat ndëshkuese përfshijnë largimin e disa bankave ruse nga sistemi i pagesave ndërbankare, SWIFT, si dhe mbylljen e hapësirës ajrore për avionët rusë.

Sanksionet kanë bërë që rubla ruse të zhvlerësohet në nivele rekorde.

Baby Boo