Tre persona nga DSK-ja kalojnë në ATO


Tre persona nga Drejtoria e Sigurimit dhe Kundërzbulimit me përvojë në procesin e ndjekjes së telekomunikimeve, kanë kaluar në Agjencinë e re Teknike Operative. Drejtori i ATO-së Zoran Angellovski, në ditën e parë të fillimit të punës së këtij organi tha se bartja e një pjese të punësuarve prej te DSK-ja në ATO është e lejuar me ligj.

Verifikimet janë bërë. Personat që i kemi marrë janë maksimalisht korrekt dhe të drejtë sa i takon asaj që ka ndodhur më herët. D.m.th nuk kanë qenë të përfshirë në asnjë mënyrë në atë që ka ndodhur më herët në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim. Në fund, ndoshta këtë s’duhet as ta them, u konsultua edhe Prokuroria Speciale Publike për të verifikuar nëse këto persona kanë ndonjë lidhje me afër që ka ndodhur. Garantoj për personat që i kemi marrë. Ata janë zgjedhja ime personale- deklaroi Zoran Angellovski, drejtor i Agjencisë Teknike Operative.

Përveç nga DSK-ja, Agjencia ka marrë edhe katër persona nga Byroja për Siguri Publike. Numri maksimal i të punësuarve në këtë agjenci do të arrijë deri në 35 dhe punësimet e tjera të bëhen me konkurs publik. Angellovski zotohet se do të respektohet edhe parimi i përfaqësimit të drejtë etnik. Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim ishte organi që hetohet për skandalin e përgjimeve masive ilegale, nga të cilat në opinion gjeneruan të ashtuquajturat “bomba”.

U siguroj se nuk ekziston as mundësi teorike dhe as praktike për keqpërdorim të mekanizmave për masat e veçanta hetuese. Me përgjegjësi deklaroj se nuk do të na përsëriten “bombat” dhe nuk do të kemi afera të tilla si në të kaluarën. Mund të garantoj se asnjëfarë ndikimi as nga pushteti dhe as nga opozita nuk ekziston- theksoi ai.

Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski theksoi se sipas ligjit, institucionet mund të arrijnë të sigurojnë materiale të përgjuara vetëm me urdhër gjyqësor.

Vërejtjet kryesore të misionit të ekspertëve të Pribesë janë mënjanuar. Ministria e Punëve të Brendshme, gjegjësisht Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim nuk kanë qasje direkte te pajisja për ndjekjen e telekomunikimeve. Ministria, gjegjësisht Drejtoria nuk dinë dhe nuk kanë të dhëna për zbatimin e masave të veçanta hetuese të cilat janë me kërkesë të organeve të tjera të autorizuara për ndjekjen e telekomunikimeve. Dhe më e rëndësishmja, Ministria, gjegjësisht Drejtoria nuk kanë qasje në përmbajtjen e komunikimeve përveç për masat që janë me kërkesë të Drejtorisë dhe për të cilat ekziston miratim nga gjykata- deklaroi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm, njofton Alsat M.

Puna e Agjencisë Teknike Operative do të monitorohet nga Komisioni parlamentar i krijuar posaçërisht për këtë, nga Këshilli i përbërë nga OJQ-të dhe nga Komisioni i ekspertëve./Pacensure

Baby Boo