Transmetimi i lajmeve në gjuhën shqipe në Radio Televizionin e Serbisë 2


Мilenko Todorovic

Ka disa vite që nuk e ndjek televizionin; ta lodhë trurin, krijon imazh të rrejshëm, thjesht të ngarkon. Për të gjitha që kam nevojë i gjej në rrjet, kryesisht përdor një kompjuter. Disa ditë më parë, krejt rastësisht, derisa po kaloja kah televizori, vura re diçka interesante në transmetuesin publik, diçka që mjaft më tërhoqi vëmendjen. Më duhet të pranoj, ishte pak e pazakontë, dëgjova gjuhën shqipe.

Besoni ose jo, lajme në gjuhën shqipe në Radio Televizionin e Serbisë 2 (RTS 2)! Ditari në gjuhën shqipe ka filluar që nga një tetori të emetohet në Radio Televizionin e Serbisë 2, vite të tëra pasi që ishte ndërprerë. Programi informativ mban emrin “Lajmet”, emetohet nga ora 19:00 dhe përveç nëntitullit të shpicës, i tëri është në gjuhën shqipe. Ironia, çfarë dhurate për shikuesit serbë. Hah, lajme serbe në gjuhën shqipe, por me një përmbajtje pak më të ndryshme në krahasim me lajmet në Serbi në gjuhën amtare. Transmetimi i këtyre lajmeve gjithsesi nuk shihet me sy të mirë nga shumë serbë, por është përgjithësisht e ditur që masa e hipnotizuar pranon atë që i servohet kështu që do ta pranojë edhe emetimin e këtyre lajmeve. A do t’i ndjekin ato pjesëtarët e nacionalitetit shqiptar dhe si do t’i përjetojnë lajmet nga këndvështrimi serb? Çfarë efekti po dëshirohet të arrihet me këto lajme, cili është qëllimi dhe cili është grupi i synuar? Zgjimi i “vetëdijes” dhe hapja e ca horizonteve të reja tek një pjesë e kombit shqiptar apo serb, apo ndoshta tek të dytë?

Lajmet filluan, natyrisht, me vizitën e kryetarit Vučić në Kinë para dy javësh, në të cilën, midis tjerash, falënderoi presidentin Shi Xhinping (Xi Jinping) për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë. Lajmi pasues ishte Samiti i 100 liderëve të biznesit në Evropën Juglindore, të cilin e hapi Ana Brnabić, që më pas narratori të njoftonte për ndërhyrjen e forcave ROSU në Ujman. Mandej pason lajmi për Kadri Veselin e Thaçin dhe tentimet e tyre të pashpresë që të bëjnë çfarëdo të dobishme për shoqërinë kosovare. Çfarë lëvdata për sukseset dhe progresin e Serbisë, dhe se si të tjerët stagnojnë në ekonomi, politikë e në çdo segment tjetër! E pra, kjo ishte më shumë se qesharake, ky ishte një raportim i turpshëm subjektiv. Thjesht, gjërat në terren janë ndryshe.

Unë konsideroj se transmetimi i këtyre lajmeve është thjesht nxitje e një efekti të caktuar politik dhe shoqëror, veçanërisht tek pjesëtarët e nacionalitetit shqiptar. A do të paraqitet me këto lajme një tablo karikaturë e politikës që po zhvillohet në këtë rajon apo ndoshta një imazh i vërtetë, i cili, ja, ndoshta nuk po u transmetuaka në Kosovë? Përmbajtja e emisionit rrëzon supozimin se transmetimi i këtyre lajmeve do të mund të ishte dakorduar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Përveç disa fjalëve lidhur me aktivitetet e politikanëve shqiptarë dhe serbë, të përmendur më lart, natyrisht, shikuar nga këndvështrimi i gazetarëve serbë, dhe versionit që më duket se është i përshtatshëm për politikën serbe, aq sa mund të vëreja, fokusi i lajmeve ishte kryesisht në forcimin e ushtrisë serbe, modernizimin e saj, ushtrimet që ushtria serbe i bën me partnerët e huaj, si dhe vizita e ministrit Vulin disa njësive ushtarake në Serbi. Pjesa më e madhe e kohës i ishte përkushtuar parakalimit të ushtarëve serbë me armë të reja. Kjo me të vërtetë dukej qesharake – çfarë dëshirohet të arrihet me këtë prezantim, fuqia psikologjike, dëshmimi i superioritetit ushtarak, krijimi i një imazhi të cilin populli shqiptar duhet ta dijë? Dhe po, sa është ky imazh real? Sikur duan të trembin dikë – e kush do të ketë më frikë nga Serbia!

Kontrolli dhe trullosja e popullit përmes medias është diçka legjitime, por krijimi i një imazhi të rrejshëm lë pasoja siç është një konflikt ndërkombëtar. Vetëm establishmenti politik, i cili është futur nëpër kolltuqe, nxjerr të mira nga kjo dhe me instrumente të ndryshme përpiqet që të manipulojë me masën, e mediat janë një nga instrumentet më të rëndësishme për këtë. Ju mbetet juve të vendosni se çka do të shikoni dhe sa do të besoni në tërë atë që do të shihni.

Baby Boo