Tragjedia me spitalin modular, partitë opozitare shqiptare kërkojnë interpelancë për punën e prokurorit Joveski


Deputetët e partive opozitare shqiptare në Kuvend, Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, kanë iniciuar interpelancë për prokurorin publik Ljubomir Joveski, mbi gjitha për shkak rastit gjyqësor në lidhje me spitalin modular.

“Ne konsiderojmë se roli i Prokurorit Publik, Ljubomir Joveski, në këtë rast është bërë temë e dyshimeve dhe kjo kërkon përgjegjësi dhe shpjegim publik. Kjo interpelancë ka për qëllim t’i ngrejë në debat publik parlamentar pretendimet e rënda se Prokuroria Publike ka fshehur fakte dhe informacione gjatë gjithë procedurës për të mbrojtur kështu disa politikanë dhe pjesëtarë të elitave të biznesit, që kanë qenë të përfshira në ndërtimin e spitaleve modulare që ishin lënda e kësaj tragjedie” thuhet në reagimin e deputetëve të opozitës shqiptare.
Ata kërkojnë nga kryetari i Kuvendit ta procesojë atë.
“Për informacion të opinionit, ndërsa për t’ia rikujtuar edhe Kryetarit të Kuvendit, në bazë të Rregullores së Kuvendit të RMV-së, më saktë nenit 47 të saj, Kryetari i Kuvendit është i detyruar që në afat prej 15 ditësh që nga dorëzimi i interpelancës, ta vendosë atë në rend dite në seancën e parë të ardhshme plenare. Prandaj ne presim që Kryetari i Kuvendit do ta respektojë Rregulloren e Kuvendit, ndërsa pjesa tjetër është të ballafaqohemi me argumente me kryeprokurorin Lubomir Joveski se si ka ndodhur që të digjen 14 njerëz në spital dhe përgjegjësi të mos kërkohet nga ndërmarrja që e ka ndërtuar spitalin modular, nga realizuesi i furnizimit publik, pastaj të shpjegojë se pse nuk është marrë parasysh raporti i forenzikës gjermane dhe pse është përjashtuar prokurori që në fillim ishte caktuar për këtë lëndë. Kërkesa jonë është që Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljubomir Joveski, të paraqitet në Kuvendin e popullit dhe ta sqarojë rolin e tij në këtë rast, duke i marrë parasysh edhe të gjitha akuzat e deklaruara në opinion në lidhje me punën e tij” u tha në deklaratën e deputetëve opozitarë.

Baby Boo