Doktori nga Suhareka tregon se si u infektua bashkëshortja e tij me koronavirus


Doktori Qëndrim Zenelaj nga Suhareka ka bërë të ditur se bashkëshortja e tij e cila punon në Klinikën e Gjinekologjisë ka rezultuar pozitive me koronavirus, derisa ka thënë se dyshohet që është infektuar nga një kolege infermiere, pasi që e njëjta ka rezultuar e infektuar me COVID-19

Gjatë ditës së djeshme në Kosovë janë shënuar 24 raste pozitive me koronavirus dhe 14 persona janë shëruar.

Mjekët dhe përfaqësuesit e institucioneve vazhdimisht po bëjnë thirrje për respektimin e udhëzimeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për mos përhapje të virusit.

Rritja e rasteve pozitive ka filluar që nga dita e enjte kur numri filloi të rritej gradualisht nga një rast në ditë, sa ishte javën që lamë pas e deri në 24 të tilla sot.

Së fundi janë infektuar edhe staf mjekësor, ku njëra ndër ta është edhe një mjeke e cila punon në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës(QKUK) dhe që vjen nga Suhareka.

Doktori Qëndrim Zenelaj i cili punon në Qendrën Mjekësore Familjare në Suharekë si dhe në klinikën Gastroenterologjisë në QKUK si specializant, ka treguar për Metron se si është infektuar me koronavirus bashkëshortja e tij.

Zenelaj ka bërë të ditur se bashkëshortja e tij ka rezultuar pozitive me COVID-19 dhe se ajo nuk ka shfaqur asnjë simptome të vetme, derisa gjendja shëndetësore e saj është stabile.

“Edhe pse bashkëshortja ka qëndruar tek familjarët e saj për afro 7 ditë ata kanë rezultuar negativ, gjithashtu edhe djali ynë 5 vjeçar ka rezultuar negativ, ndërsa bashkëshortja pozitiv edhe pse vazhdimisht ka bartur maskë”, ka thënë ai për Metron.

Sipas doktorit dyshohet se bashkëshortja e tij është infektuar nga një kolege infermiere, pasi edhe ajo ka rezultuar pozitive.

Ndër tjera ai tregon se një testi për koronavirus pritet që edhe vet ai t’i nënshtrohet gjatë fundjavës, edhe pse nuk ka pasur kontakte me bashkëshorten me të cilën tani ndajnë një apartament por me dhoma të ndara.

Ai gjithashtu ka apeluar tek të gjithë qytetarët që të shmangin daljet dhe të respektojnë udhëzimet.

“Apeloj tek të gjithë qytetarët që të zbatojnë me përpikmëri udhëzimet nga institucionet tona dhe që të reduktojnë daljet dhe lëvizjet sa më shumë që është e mundur. Rëndësi të veçantë ka edhe mbajtja e higjienës, pastrimi i duarve sa më shpesh që të mundeni, të mbani distancën me persona të tjerë”, ka thënë doktori nga Suhareka.

Baby Boo