THELLOHET SKANDALI NË VALBONË, ZYRTARI QË PO HETON ÇËSHTJEN, DJALI INXHINIERIT TË HIDROCENTRALEVE (NËNSHKRIMET E FALSIFIKUARA)


Avokatët dhe qytetarët që merren me mbrojtjen e Valbonës denoncojnë një tjetër skandal.

Në maratonën e hetimeve dhe gjykimeve të falsifikuara, kanë zbuluar se personi përgjegjës për t’u marrë me çështjen është Elton Hoxha, djali i inxhinierit teknik të ndërtimeve në hidrocentralet mbi Valbonë nga kompania Gener-2.

Në një njoftim për median, shoqata Toka, nëpërmjet email të Catherinë Bohne jep lajmin duke denoncuar korrupsionin në gjykatë.

“Por skandali bëhet më i madh, sa më në detaje të hysh. Oficeri i emëruar nga gjykata, i ngarkuar me hetimin e çështjes së nënshkrimeve të falsifikuara është Elton Hoxha, i cili si për cudi është i biri i Skënder Hoxhës, inxhinier përgjegjës për ndërtimin e hidrocentraleve”, shkruhet në njoftimin e ndarë për median.

Nënshkrimet e falsifikuara kanë të bëjnë me pretendimin e administratorëve lokalë në Tropojë për dëgjesa publike për ndërtimet apo jo në Valbonë. Dhe siç është konstatuar, në dokumentet e paraqitura, shumica e emrave që janë vendosur në listë, janë persona të vdekur. Kjo është zbuluar nga gjykata, por kanë argumentuar se ankesa është bërë jashtë afateve ligjore.

“Në mars të vitit 2018, 30 banorë vendas dhe OJQ-ja TOKA ngritën akuza penale kundër kryeplakut të Dragobisë z.Adem Metaliaj dhe Administratores së Dragobia Energy Artila Ulaj, për të vërtetuar një konsultim publik që përfshinte nënshkrimet e njerëzve të vdekur. Është thelbësore që të përcaktohet vlefshmëria e këtij konsultimi publik pasi që ishte pjesë përbërëse e procesit të aplikimit për lejen mjedisore për hidrocentralet e Dragobia Energy. Pas gjashtë muajsh, gjykata e Tropojës u takua sot për të dëgjuar argumentin e prokurorit i cili deklaroi se megjithëse nuk kishte asnjë dyshim se nënshkrimet ishin të falsifikuara, ai megjithatë kërkoi nga gjykata të hidhte poshtë akuzat mbi bazën se periudha e ankesës kishte skaduar.

Banorët lokalë, që akoma nuk kanë arritur të kapërdijnë vendimin e padrejtë të gjykatës vendore më 31 korrik, vendim i cili në mënyrë efektive bllokoi vendimin e gjykatës administrative të apelit për të pezulluar ndërtimin, u gjendën përballë një konfirmimi tjetër për shkatërrimin total të drejtësisë në Tropojë. Nënshkrimet e falsifikuara duhet të raportohen brenda 5 viteve.Kallëzimet penale janë ngritur 29 ditë para këtij afati.Përkundër argumenteve të gjata dhe të bazuara në ligj nga ana e akuzuesve, gjykata e Tropojës vendosi të mbështesë kërkesën e prokurorit për të hedhur poshtë akuzat. Me sa duket, gjykata e Tropojës ka lënë mënjanë paanësinë në këtë cështje dhe është bërë palë me ndërtuesit e hidrocentralit Gener-2” thuhet në njoftim.

Vendasit u përfaqësuan gjatë gjykimit nga Avokati Altin Fushaxhia i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur të Shqipërisë. Së bashku ata do të apelojnë vendimin e gjykatës së Tropojës në Shkodër sa më shpejt të jetë e mundur. Ky apel, megjithatë, do të jetë veprimi i 11-të ligjor i nxitur nga banorët lokal, dhe në këtë pikë është e vështirë për vendasit të besojnë se nuk do të kenë të njëjtin fat si të gjitha veprimet e tyre të tjera ligjore – sjellje lart e poshtë pafund nga sistemin shqiptar ligjor joefikas dhe kundër- produktiv i cili funksionon vetëm për të humbur kohën dhe për të lejuar vazhdimin e ndërtimit.

Në këtë pikë, është e vështirë për vendasit të shohin ndonjë zgjedhje, përvecsë t’a vënë vetë ligjin në zbatim.