Indonezi, policia vret dhjetëra “kriminelë” përpara Lojërave Aziatike


Policia në Xhakarta ka ekzekutuar dhjetëra persona, në vazhdën e një operacioni të përshkallëzuar kundër autorëve të dyshuar për krime jo edhe aq të rënda, pikërisht përpara mbajtjes së Lojërave Aziatike, në një fushatë që “Amnesty International” e ka përshkruar si “të panevojshme dhe të tepërt”.

Bazuar në monitorimet nga janari deri në gusht të këtij viti, “Amnesty International” ka njoftuar se 31 vrasje policore kanë qenë të lidhur drejtpërdrejt me Lojërat Aziatike, që do të nisin në Xhakarta dhe Palembang ditën e shtunë.

Grupi i të drejtave të njëriut tha se policia ka qëlluar gjithsej 77 të konsideruar shkelës të veprave penale të lehta anembanë Indonezisë gjatë së njëjtës periudhë, një rritje prej 64 për qind nga një vit më parë.

Drejtori ekzekutiv i “Amnesty International” për Indonezinë, Usman Hamid argumenton se rritja e numrit të të ekzekutuarve zbulon një “vello mosndëshkueshmërie” që njollos organet indoneziane të sigurisë.

“Organizimi i një ngjarjeje sportive ndërkombëtare nuk duhet të bëhet kundrejt braktisjes së të drejtave të njeriut. Vrasjet duhet të ndalen dhe të gjithë të ekzekutuarit e deritanishëm duhen hetuar në mënyrë efektive”, tha ai.

Rreth 12 mijë atletë pritet të garojnë në Lojërat e 18-a Aziatike , ngjarja më e madhe shumësportëshe pas Lojërave Olimpike, që do të zhvillohen nga 18 gushti deri më 2 shtator. Indonezia ka dislokuar 100 mijë policë dhe ushtarë për të garantuar sigurinë.

Baby Boo