Tetovë, ndotësit e ajrit zgjohen më herët se inspektorët komunal


Banorët e lagjeve të Komunës së Tetovës “Bllok 70”, “Dardania” dhe shtëpive afër fabrikës “Teteks”, ankohen se disa ditë me radhë, gjatë mëngjeseve kundërmon erë e cila dyshohet të vijë nga djegia e mbeturinave. Autoritetet komunale kanë dalë në terren për t’i gjetur autorët, por s’kanë pasur sukses, ndërkaq OJQ “Eco Guerilla”, thotë se Komuna e Tetovës nuk i ka kapacitetet e duhura, andaj kërkojnë që të ndërhyjë Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, shkruan Portalb.mk.

Inspektorët Ekologjik të Komunës së Tetovës, pas marrjes së ankesave nga qytetarët se po dëgjojnë erë të djegies së mbeturinave në disa lagje të Tetovës, sot në mëngjes kanë dalë në terren për t’i gjetur ndotësit e ajrit, por nuk kanë mundur t’i gjejnë, pasi që sipas tyre, dyshojnë që zjarri është ndezur edhe më herët se sa kur ata kanë qenë duke i kërkuar.

“Inspektorët Ekologjik nga Inspektorati Komunal i Komunës së Tetovës, që nga mëngjesi i sotëm janë në terren duke u munduar të gjejnë burimin e zjarrit, i cili gjatë mëngjesit të sotëm shkaktoi një tym i cili kishte shqetësuar qytetarët e Tetovës, që ka rezultuar edhe me ngritjen e dukshme te prezencës së grimcave PM10 në ajër. Pas daljes në terren fatkeqësisht nuk ka qenë e mundur të identifikohet vendndodhja e zjarrit si dhe nuk kanë mundur të identifikohen kryerësit e pandërgjegjshëm të kësaj vepre, meqë sipas të gjitha gjasave e njëjta është kryer në orët e hershme të mëngjesit”, thonë nga Komuna e Tetovës, duke shtuar se kanë bërë shkresë deri te SPB Tetovë, e cila duhet të bëjë ekspertizën e nevojshme për të njëjtën.

Nga Inspektorati Komunal, thonë se ditëve në vazhdim do të organizojë edhe kujdestari gjatë natës, me qëllim të parandalimit dhe sanksionimin e autorëve, konform ligjit për mbrojtje të ajrit ambiental të RM-së.

Print screen nga matja zyrtare e Ministrisë së Mjedisit Jetësor në datën 20.09.2018
Print screen nga matja zyrtare e Ministrisë së Mjedisit Jetësor në datën 20.09.2018

Por, nga organizata joqeveritare “Eco Guerilla” thonë se Komuna e Tetovës nuk ka kapacitet që të mbulojë të gjithë terrenin e Komunës së Tetovës dhe për këtë shkak edhe rezultatet nuk janë duke u parë në terren, ndërkaq kërkojnë që të ndërhyjë Inspektorati Shtetëror.

“Gjatë ditëve të kaluara një numër i madh qytetarësh e kanë kontaktuar edhe organizatën “Eco Guerilla” për tu ankuar për tymin dhe erën e keqe që kundërmon në Tetovë e që sipas tyre vjen nga djegia e mbeturinave nëpër deponi të vogla ilegale që janë të shpërndara në disa lokacione në Tetovë. Inspektorati Ekologjik Komunal nuk ka kapacitetet e duhura për t’u marrë me këtë çështje në mënyrë më intensive dhe efikase prandaj sepse nuk ka as inspektorë të mjaftueshëm, prandaj është e nevojshme që të ketë ndërhyrje edhe nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit por edhe nga Ministria e Mjedisit Jetësor. Sipas vrojtimeve në terren por edhe informacioneve që Eco Guerilla merr nga qytetarë që denoncojnë ndotje të ajrit, burimet e ndotjes janë kryesisht auto varrezat të cilat djegin plastikë, goma, dhe vajra makinash, për t’i asgjësuar të njëjtat, por ka raste edhe kur fabrika të caktuara mobiliesh asgjësojnë mbeturinat e tyre duke i djegur, prandaj inspektoratet përkatëse duhet të tregojnë dhëmbët dhe të ndëshkojnë kundërvajtësit, në të njëjtën kohë të ndikojnë në parandalimin e përsëritjes së këtyre dukurive”, thonë nga “Eco Guerilla” për Portalb.mk.

Gjatë ditëve që lamë pas, qytetarët kanë reaguar në rrjetet sociale duke thënë se tash në qytetin e Tetovës është duke ardhur era e plastikës së djegur.

“Jemi 19 shtator, dhe në Tetovë filloi të vjen era e plastikës së djegur nga mëngjesi. Jeta është e bukur… ndërsa emrin nuk e japim”, shkruan një qytetar në “Twitter”.

Baby Boo