Tetova së shpejti me kontejnerë nëntokësorë


Gjithsej 15 kontejnerë gjysmë nëntokësorë do të vendosen në qytetin e Tetovës. Kjo është paralajmëruar nga ana e drejtuesve të Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë, të cilët për televizionin Koha njoftojnë se tashmë vendimi ka kaluar edhe këshillin e komunës së Tetovës.

Së fundmi pritet që procedura të kalojë edhe në sektorin e urbanizmit dhe të fillojë vendosja e tyre nëpër qytet. Vlera e këtij projekti është 28 milion denarë ndërsa financohet nga Banka Botërore përmes Ministrisë së Financave. “Javën e kaluar vendimi ka kaluar në këshillin e komunës së Tetovës, tani procedurat presim që të kalojnë edhe tek sektori i urbanizmit, dhe besoj se këtë javë do të fillojë implementimi, pra gjithmonë e themi këtë nëse nuk kemi ndonjë problem tjetër gjatë këtyre procedurave. Është një projekt që i ka munguar Tetovës dhe besoj do të jetë shumë efikas. Ne do të bëjmë edhe një promovim lidhur me këtë projekt kur do të fillojë vendosja e tyre si dhe një fushatë senzibilizuese për mirëmbajtjen e tyre sepse janë kontejnerë që do t`i japin një pamje tjetër Tetovës. Këta kontejnerë janë shumë praktikë dhe këtë do ta vërejnë edhe qytetarët, sepse edhe ata do ta kenë më lehtë”, tha Daut Memishi, zëvendësdrejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë.

Vendosja e këtyre kontejnerëve gjysmë nëntokësorë pritet që të evitojë problemin me mbeturinat në rrugët e Tetovës, sidomos në rastet kur stërmbushen kontejnerët me mbeturina dhe pastaj tjerat hidhen poshtë tyre. “Jam i bindur se do të kryejë shumë punë ky projekt për vendosjen e kontejnerëve gjysmënëntokësor, sepse është një problem shumëvjeçar, ngase kamionetat hasin në vështirësi kur shkojnë që të grumbullojnë mbeturinat në kontejnerë nga veturat e parkuara pranë tyre. Ndodh një kohë e gjatë që kamionët të qëndrojnë në vend derisa të largohen veturat dhe më pas të marrin mbeturinat. Kjo shkakton vonesa pastaj për të shkuar tek pikat tjera grumbulluese. Kontejnerët e rinj janë shumë më praktik gjatë marrjes së mbeturinave sepse ka kamion special, prandaj edhe nëse ka automjete të parkuara nuk pengojnë. Besoj se njëherë e përgjithmonë të paktën pjesët qendrore nuk do të kenë problem me mbeturinat”, tha Memishi. 15 kontejnerët nëntokësorë dhe dy kamion special për këtë veprimtari, tashmë kanë arritur dhe me tejkalimin e të gjitha procedurave nëpër institucione do të fillojë vendosja e tyre. Në të ardhmen pritet që të sigurohen edhe më shumë kontejnerë të këtillë që të vendosen nëpër zonat periferike. Krahas këtyre kontejnerëve, pritet që të zëvendësohen edhe kontejnerët ekzistues në qytetin e Tetovës. (koha.mk)

Baby Boo