Terminali në Jazhincë, nevojë urgjente për biznesin


Hapja e terminalit në Jazhincë, në vendkalimin me Kosovën, vazhdon të jetë kërkesë e sektorit të biznesit sidomos pjesës që funksion në Maqedoninë Perëndimore. Kjo kërkesë është përmendur në vitin 2006, kur Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore (OEMVP) kishte realizuar një takim me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Agim Çeku. Edhe pse kjo ide ishte mirëpritur nga pala kosovare, megjithatë vitet në vijim ishte lënë në harresë nga të dy shtetet.

“Ne si Odë Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore, që në vitin 2006, prezantuam këtë ide dhe këtë kërkesë që të hapet terminali në pikën doganore në Jazhincë. Këtë ide e kemi prezantuar edhe para autoriteteve të Kosovës, në atë kohë në qeveri ishte Agim Çeku. Atyre u është dukur një ide interesante, e mirëpritën, thanë se do të bëjnë analiza, pastaj në vitet në vijim ka mbetur vetëm në nivel të deklaratave por diçka konkrete nuk ka pasur”, thotë Kasam Zendeli, anëtarë i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore. Ky projekt i shumëkërkuar vazhdon të mos jenë në agjendën prioritare të Maqedonisë së Veriut.

Sektori i biznesit vazhdon me ngulm të kërkojnë me qëllim që të ketë lehtësime për transportin e mallrave dhe zhdoganimin e tyre. Mjaft efikas u tregua një terminal i improvizuar në Jazhincë gjatë kohës kur kishte probleme në autostradën Shkup-Prishtinë.

“Me bllokimin e pikës kryesore Maqedoni-Kosovë, dhe mos pasja e mundësisë së lëvizjes në drejtim të Shkupit dhe që u hap si alternativë pika në Jazhincë dhe u vërtetua se kërkesa jonë ishte e logjikshme. Ne me Kosovën kemi marrëdhënie tregtare të mëdha, dhe vet mbyllja disa ditore e asaj pike, ka lënë të nënkuptohet se ne me Kosovën duhet që të kemi së paku dy pika doganore edhe atë jo vetëm kalim të thjeshtë, por përfshirë edhe terminalin. Sepse, në rast të një bllokimi e kemi tjetrën dhe kur funksionojnë të dy terminalet, do të ulej edhe koha e pritjes së mauneve në Bllacë, por njëkohësisht do të shkurtohej edhe koha e transportit të mallrave. Mimunum me Kosovën do të duhej të kishte dy terminale”, tha Zendeli.

Ai thotë përherë si Odë Ekonomike e kanë shtruar këtë kërkesë, kurse qeveria nuk ka refuzuar mirëpo nuk ka diçka konkrete. Sipas tij, kjo ide mund të realizohet me shumë pak mjete sepse vendi ekziston dhe nevojitet që vetëm të dy shtetet të merren vesh dhe të fillojë të funksionojë.

Ndryshe, terminali në Jazhincë është nevojë e biznesit të Pollogut, duke patur parasysh se në këtë rajon funksionojnë diku rreth 11.000 kompani, nga të cilat më shumë se gjysma e tyre janë edhe eksportues dhe destinacion i parë për mallrat e tyre është Kosova. (koha.mk)

Baby Boo