“Të dua”: Fjalët e fundit të Sabrinës përpara se të vritej nga babai


Nga Andrew Koubaridis, News.com.au

Një burrë, i akuzuar për vrasjen e vajzës së tij, nuk bëri kërkesë për lirim me kusht gjatë një seance dëgjimore pranë krevatit.

Petrit Lekaj, 49 vjeç, doli përpara gjykatës së Port Adelaide të premten, i akuzuar për vrasjen e vajzës së tij, Sabrina.

20-vjeçarja u gjet e vdekur në një makinë pranë shtëpisë së tyre në Kidman Park në fillim të kësaj jave.

Zoti Lekaj u gjet pranë trupit të therur të vajzës së tij brenda makinës Mercedes Benz 2002. Ai kishte lëndime të rënda në bark dhe u zhvendos nga makina prej policëve, përpara se të akuzohej për vrasjen e saj.

Disa orë më herët, fjalët e fundit që zonjusha Lekaj i tha një mikeshe të ngushtë ishin: “Të dua, do të dërgoj një mesazh kur të shkoj në shtëpi”.

Mikesha e saj më e mirë, Kat Valstar, 21 vjeç, i tha portalit tonë se zonjusha Lekaj ishte e shqetësuar se do të zihej me babanë, pasi ajo kishte kaluar natën te shtëpia e zonjushës Valstar pasi kishin shkuar në klub në qendër të Adelaide të shtunën në mbrëmje.

“Ajo ishte e shqetësuar se do i bërtisnin kur të kthehej në shtëpi,” tha zonjusha Valstar.

Ajo tha se kishte humbur mikeshën më të mirë dhe se e konsideronte atë “gjysmën tjetër”.

“Ishim shoqe të ngushta, gjithmonë i telefonim, i shkruanim njëra-tjetrës çdo ditë. Kisha planifikuar që ta shihja këtë javë, do të hanim drekë bashkë,” tha Valstar.

Kur nuk dëgjoi nga ajo të dielën, Valstar mendoi se shoqja e saj kishte shkuar të flinte në shtëpi. Lajmin shkatërrues për vdekjen e saj të tmerrshme e mori të hënën.

“Ajo ishte e mirë, e dashur, shumë e zgjuar dhe gjithmonë ishte kaq e mirë me miqtë e saj,” tha Valstar.

Ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë problemi në jetën familjare të zonjushës Leaj, që e trazonte atë, por tha se ishte e frustruar sepse babai e kishte pyetur para disa javësh nëse kishte një të dashur.

“Ajo ishte aq e pavarur, sa nuk kishte nevojë për një të dashur,” tha Valstar.

Natën e fundit ajo e kaloi në një klub në Adelaide duke kërcyer sikur nuk i bëhej vonë për asgjë në botë.

“Ajo po shijonte kohën duke kërcyer. Ishte e lumtur, normale dhe e gjallë atë natë,” thotë Valstar.

Një tjetër mikeshë i tha ABC se ajo kujdesej gjithmonë për të tjerët.

“Nuk ka rëndësi sa e trishtuar ishte, ajo gjithmonë kujdesej që të tjerët rreth saj të ishin OK,” tha Jana Fandi.

“Ajo ishte gjithmonë aty për këdo që ishte rreth saj. Ajo i vinte gjithmonë të tjerët para vetes”.

Zonjusha Lekaj studionte për imazheri mjekësore në Universitetin e Australisë Jugore dhe kishte pasion që të ndihmonte njerëzit e sëmurë.

“Ajo më thoshte se donte të gjente një kurë për të shëruar të gjitha sëmundjet në botë. Ishte shumë ambicioze,” thotë Fandi.

Në një mesazh homazh në Instagram, ajo shkruante: “Nuk mund ta besoj që po e shkruaj këtë. Sabrina ime e bukur”.

“Një pianiste jashtëzakonisht e talentuar, një mbretëreshë e humorit të zi që kishte arritur shumë gjëra. Unë të dua. Përgjithmonë në zemrat tona”.

Zoti Lekaj, një anëtar i mirënjohur i komunitetit shqiptar në Adelaide mbetet nën mbikëqyrje policore teksa është nën efektin e qetësuesve në Spitalin Mbretëror në Adelaide.

Mercedesi u gjet vetëm 250 metra larg shtëpisë.

Kryeinspektori Tony Ransom tha se policia nisi të kërkojë për Mercedesin e bardhë pak përpara orës 10:00 të natës të dielën, pasi anëtarët e komunitetit thanë se ishin të shqetësuar për shëndetin e babait dhe të bijës.

Ai nuk hyri në detaje nëse incidenti kishte lidhje me dhunën në familje. Ai nuk komentoi as raportimet se policia ishte thirrur në familje më herët të dielën për një trazirë.

Mbetet e paqartë se kush e shkaktoi incidentin. Policia thotë se hetimet po vazhdojnë.

Fqinjët thanë se ishte një familje e qetë dhe e sjellshme. Ata thanë se zoti Lekaj ishte i gëzuar teksa po kosiste barin e lëndinës para shtëpisë pak orë përpara vdekjes së vajzës.

Lekaj është arrestuar dhe mbetet në paraburgim për t’u paraqitur në Gjykatën e Magjistraturës në Adelaide në janar.

Mesazhet në Facebook të Sabrinës me një nga mikeshat e saj:

 

Baby Boo