Tatimet pak shkojnë për mbrojtjen e mjedisit


Tatimet ekologjike vite me radhë në vend për mbrojtjen e ambientit jetësor në një pjesë të madhe përfundojnë arkën shtetërore dhe harxhohen për qëllime të tjera. Organizatat ekologjike njëherësh kërkojnë që të formohet edhe Fond për ambientin jetësor ku do të grumbullohen të gjitha taksat ekologjike që do të harxhohen për mbrojtjen e mjedisit jetësor.

“Mjetet ekzistojnë, por nuk përdoren për ekologji. Gjithashtu nëse dëshirojmë t’ju afrohemi standardeve evropiane, duhet edhe të fillojmë të investojmë në mjedisin jetësor”, thotë Ana Çoloviç nga organizata “ Eko- Svest”. Ajo shton se formimi i Fondit për ambient jetësor duhet të përcillet me formimin edhe të Agjencisë së ambientit jetësor. “Formimi i një fondi të tillë përmes grumbullimit të taksave ekologjike në një vend do të sigurojë edhe mjetet e nevojshme për aktivitetet dhe masat për mbrojtjen mjedisit dhe natyrës, por edhe do të imponojë një kontroll më të madh të harxhimit të këtyre mjeteve që tani nuk harxhohen përmes një llogaridhënie dhe transparence më të madhe”, thekson ajo.

Në ndërkohë edhe analizat e ndryshme tregojnë se problemet e mjedisit jetësor në Maqedoninë e Veriut janë të ngjashme me shtetet e rajonit. Përpos ndotjes së ajrit si shtet kemi probleme edhe me mungesën e sistemeve rajonale të integruara për menaxhimin e llojeve të veçanta të mbeturinave, mbulimit të pamjaftueshëm të vendbanimeve dhe komunave me sisteme për grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të zeza. Pengesë për mbrojtjen e ambientit janë edhe mungesa e një lidhje funksionale midis pushtetit lokal dhe qendror, sidomos në aspekt të kompetencave dhe detyrave që i kanë ndërmarrë komunat.

Analiza e Entit të Statistikës “Ambienti jetësor 2019”, ndër të tjerash tregon se janë evidente edhe një numër i madh i kompetencave që janë ngarkesë e administratës qendrore por jo në aspektin ligjor, por në atë praktik. Një gjendje e tillë shpjegohet në radhë të parë me mungesën e mjeteve financiare në nivel lokal për ambientin jetësor, ndërsa në vazhdimësi ka kërkesa që një boshllëk i tillë të plotësohet nga buxheti qendror. Gjithashtu të dhënat tregojnë se në vitet e kaluara, vetëm dhjetë për qind e mjeteve të grumbulluara nga tatimet e ambientit jetësor, orientohen për investimet në mbrojtjen e tij.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikës, në vitin 2015, në shtet janë paguar tatime të lidhura me mjedisin jetësor në vlerë prej 105.274.000.000 denarë, apo 161 milionë euro, ndërsa një vit më vonë, për harxhimet e mbrojtjes së mjedisit, është harxhuar një shumë modeste prej 9.778.945.000 denarë. Edhe në vitin 2017, qytetarët i kanë paguar shtetit 11.4 miliardë denarë apo 186 milion euro në emër të tatimeve për ambientin jetësor, mirëpo shteti për këtë ka harxhuar afër tetë herë më pak.

Nga ana tjetër, aktivistët ekologjik kërkojnë që në Maqedoninë e Veriut të ndahen së paku një për qind nga Prodhimi i Brendshëm Bruto si mbrojtje nga ndotja e ambientit jetësor përfshi edhe ajrin, truallin etj. Maqedonia e Veriut në vitet e kaluara, tregojnë raportet e Komisionit Evropian, jo vetëm që nuk ka rritur, por ka zvogëluar nga viti në vit investimet në mjedisin jetësor përkundër nevojave të mëdha për investime në parandalimin dhe kujdesin për mjedisin jetësor.

Nevojën për investimet më të mëdha në të holla në mbrojtjen e shëndetit nga pasojat e ndotjes së ajrit, tokës e kështu me radhë, e tregojnë edhe analizat e Institutit për Shëndet Publik, sipas të cilave, në nivel vjetor në Maqedoninë e Veriut, mbi 1200 njerëz vdesin për shkak të ndotjes së ajrit, ndërsa vdekshmëria për shkak të ndotjes së ajrit shënon rritje gjatë 10 viteve të fundit.
Edhe në vitet e fundit përkundër rritjes së pagesave në arkën e shtetit për ambientin, megjithatë këto mjete nuk po harxhohen në tërësi për mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Gjatë miratimit të buxhetit të këtij viti, nga shoqata qytetare kanë ngritur zërin se vetëm 0.49 për qind e mjeteve në arkën shtetërore janë dedikuara për ambientin jetësor. Njëherësh aktivistët theksojnë se tatimet për ambientin jetësor për çdo vit mblidhen me mjete që janë për dhjetë herë më të larta se mjetet që ndahen në buxhetin e vitit 2021, për uljen e ndotjes, mbrojtjen e ambientit jetësor, menaxhimit me mbeturinat dhe ujërat e zeza. Edhe ato kanë apeluar për formimin e Fondit për ambientit jetësor, për shkak se vlerësojnë se pa harxhim të destinuar saktë të mjeteve për projekte ekologjike, pasqyra e ndotjes edhe më tej do të mbetet e pa ndryshuar.

Çdo vit thërrime ndahen për problemet shumë të mëdha me të cilat ballafaqohen vendit me ujin, ajrin, truallin, pyjet, pasuritë natyrore, ndërsa pikat e nxehta ekologjike me dekada po mbeten të pazgjidhura, thonë ambientalistët.
Ndryshe, gjatë prezantimit të buxhetit për sivjet fillimisht për mbrojtjen e ambientit për vitin 2021 ishin të dedikuara afër 23 milionë euro.

Baby Boo