Taravari: Pushimi dimëror i nxënësve le të zgjas dy muaj


Me qëllim të kursimit të energjisë, Komuna e Gostivarit do të kërkojë nga Qeveria miratimin e masave të planifikuara në nivel lokal duke fikur një pjesë të ndriçimit rrugor dhe duke zgjatur pushimet shkollore.

Këto propozime i bëri të ditur kryetari Arben Taravari në takimin me drejtorët e shkollave, ku ndër të tjera u fol për fillimin e vitit të ri shkollor, për kursimin e energjisë elektrike dhe propozime për zbatimin e masave.

Taravari shpreh besimin se viti shkollor do të nisë në kohë dhe se nxënësit nuk do të vuajnë për shkak të kufizimeve.

Ai do t’i kërkojë qeverisë qendrore ndryshime në kohëzgjatjen e pushimeve shkollore.

“Si qeverisje vendore do të paraqesim dy kërkesa në Ministrinë e Arsimit. Së pari, pushimet dimërore duhet të jenë në periudhë dhjetor-janar, pra dy muaj, dhe pushimet verore duhet të zgjasin rreth një muaj e gjysmë. Viti shkollor duhet të përfundojë në qershor dhe të fillojë më 15 gusht. Kërkesa e dytë është që shkollat ​​të paguajnë si për amvisëri, e jo sipas tarifës së rrymës industriale”, tha Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.

Ai iu referua racionalizimit të shpenzimeve dhe përmendi se Qeveria nuk ka bërë asgjë për t’i ndihmuar komunat në tejkalimin e krizës.

Në atë drejtim, sipas Taravarit, është planifikuar që në territorin e komunës, përveç fikjes së një pjese të ndriçimit publik, të “shtrëngohen” masat edhe në pjesën tjetër të institucioneve që janë në varësi të pushtetit lokal.

Ai ka sqaruar se shpenzimet e energjisë elektrike janë rritur për pesë herë në periudhën e kaluar dhe kjo krijon një barrë të madhe.

“Për sa i përket kursimit të energjisë elektrike, kemi një plan që nga 1 shtatori në mesnatë të fikim një pjesë të ndriçimit publik në rrugët kryesore, por jo në rrugët anësore. Kursime do të ketë edhe në objektin e komunës dhe në institucionet tjera nën kompetencën tonë”, tha Taravari.

Baby Boo