Takimi i thirrur nga Ahmeti, liderët shqiptarë mendohen për pjesëmarrjen


Liderët e partive shqiptare ende nuk kanë marrë vendim për ftesën e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti për tryezë të përbashkët më 13 gusht në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela tha se, kur të kenë vendim do ta njoftojnë opinionin. Sela për Alsat tha se është e rrugës që fillimisht të njoftohet subjekti që ka bërë ftesën. Nga Alternativa thonë se në takimin e mbrëmshëm të dy kryesive të partive të koalicionit, është marrë vendim që Ziadin Sela dhe Afrim Gashi të koordinohen bashkërisht dhe të vendosin nëse do të shkojnë në tryezën e thirrur nga Ahmeti.

Edhe Lëvizja BESA akoma nuk ka vendosur nëse do të marrë ose jo pjesë në takimin e thirrur nga Ahmeti. Kreu i kësaj partie Bilall Kasami tha se në mbledhjen e nesërme të Besës do të merret vendimi final. Nga PDSH nuk ka asnjë përgjigje. Lideri i BDI-së Ali Ahmeti ftoi tryezë të partive politike shqiptare edhe në vitin 2016. Pasi në Shkup nuk u morën pjesë të gjithë liderët, takimi u transferua në Tiranë te kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Pas tryezës së përbashkët në Tiranë, partitë politike shqiptare nënshkruan edhe deklaratë, me të cilën u zotuan për të realizuar shumë çështje shqiptare të pazgjidhura . Në deklaratë fillimisht thuhej se partitë shqiptare angazhohen për avancimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në popull shtet-formues si dhe arritjen e barazisë gjuhësore. Për debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë shumë -etnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike. Mes pikave të tjera në dokumentin e përbashkët të partive shqiptare përfshihen edhe kërkesat për arritjen e barazisë ekonomike dhe mirëqenies shoqërore nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal dhe shumë çështje të tjera.

Baby Boo