Takimi i Thaçi me krerët e institucioneve zgjati vetëm 15 minuta


Kryeministri Ramush Haradinaj me zëvendësit e tij, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi kanë qenë në një takim me presidentin Hashim Thaçi që ka zgjatur vetëm 15 minuta.

Haradinaj pas takimit ka thënë se ishte i shkurtër meqë ishte konfirmim i diskutimeve të së enjtes në të cilat mori pjesë ai, Thaçi dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Pas takimit, Haradinaj mbajti një konferencë për media në të cilën tha se Kosova dëshiron të ecë përpara në dialog me Serbinë, por jo duke i diskutuar kufijtë e shkëmbimin e territoreve.

Ai ka paralajmëruar se do të çohet nga një tavolinë në të cilën temë diskutimi do të jenë kufijtë.

”Seanca është ngjarje politike. Disa herë unë vetë e kam thirr seancën për dialog, ama nuk ka dhënë rezultat, po më vjen keq. Zor është me mbërri qëllime të qarta, por në anën tjetër nuk është mirë me dërgu porosi se ne po duam të ndërprejmë dialogun. kjo mund të nënkuptohet se ne nuk po duam me ec përpara me dialog. Territori e kufijtë nuk do të jenë temë e diskutimit. Ne duam marrëveshje finale me Serbinë, që përfundon me njohje reciproke. Unë çohna prej tavolinës nëse ato tema hidhen në diskutim dhe nuk jam me shku asaj rruge, nëse dikush thotë se çështja e kufijve është obliguese për arritjen e marrëveshjes me Serbinë ”, ka deklaruar Haradinaj.

I pari i Qeverisë tha se nuk ekziston ndonjë formulë magjike që do t’i kënaqte dy palët.

”Këto janë procese të rënda, ne kemi ardh këtu si Kosovë. Është logjikë e gabume me u kthy mbrapa e me diskutu gjërat që janë mbyllur. Çështje që duhet të bëhen janë njohja nga Serbia, nga BE e anëtarësimi në OKB. Retorikën politike unë s’muj me ndal, gjithkush jep mendim ”, përfundoi ai./Pacensure

Baby Boo