Tajlanda në kërkim të mënyrave për shpëtimin e fëmijëve të gjetur në shpellë


Në Tajlandë është duke vijuar mobilizim i gjerë për gjetjen e mënyrave për shpëtimin e 12 fëmijëve futbollistë dhe trajnerit të tyre të cilët u gjetën në një shpellë në provincën Chiang Rai nëntë ditë pasi ishin zhdukur teksa po vizitonin shpellën si ekip, transmeton Anadolu Agency (AA).

Guvernatori i provincës Narongsak Osatanakorn tha në një deklaratë se niveli i ujit brenda shpellës nuk lejon daljen deri te goja e shpellës përmes ecjes, duke shtuar se ekipet e shpëtimit janë duke u përpjekur të marrin vendim për mënyrën e nxjerrjes së sigurt të fëmijëve nën këto rrethana.

Narongsak theksoi se ekipet për një kohë do t’i mbajnë fëmijët brenda shpellës, ku do t’i trajnojnë për not dhe zhytje me bombola oksigjeni për të arrritur aftësi të nevojshme për dalje të sigurt.

Siç njoftohet, madje edhe zhytësve profesionistë u janë dashur disa orë për të arritur te pika ku gjendet grupi për shkak të galerive të ngushta të ngelura nën ujërat e vërshimeve, ndërsa për evakumin e fëmijëve në këtë mënyrë do të nevojitet përgatitje serioze.

Ndërkaq, alternativa e pritjes së rënies së vetvetishme të nivelit të ujit është konsideruar jopraktike, pasi në dy muajt e ardhshëm rajoni pritet të përfshihet nga sezoni i shirave munsonë.

Guvernatori Narongsak njoftoi se aktualisht janë duke u bërë përpjekje për zvogëlimin e nivelit të ujit përmes pompave të drenazhit dhe kërkime për gjetjen e zbrazëtirave të ajrit përmes të cilave do të mund të sigurohej dalje alternative nga shpella.

Nga ana tjetër, bëhet e ditur se gjendja shëndetësore e fëmijëve dhe trajnerit është e mirë. Ata i janë nënshtruar një kontrolli shëndetësor brenda në shpellë dhe përpos disa gërvishjeve dhe plagëve të vogla te disa nga fëmijët, grupi është në gjendje të mirë fizike dhe me vetëdije të plotë.

Ndryshe, 12 fëmijët nga mosha 11 deri në 16 vjeçe dhe trajneri i tyre 25 vjeçar ishin zhdukur gjatë shëtitjes në shpellën Tham Luang Nang Non më 23 qershor dhe u gjetën të gjallë pas nëntë ditëve kërkim nga ekipet e shpëtimit.

Baby Boo