Rasti i dytë i Kovid-19 te fëmijët në kopsht, Qeveria mbetet në qëndrimin që prindërit të kthehen në punë


Rasti i dytë i Kovid-19 tek një fëmijë në një kopsht u regjistrua dje në vendin tonë. Bëhet fjalë për një fëmijë nga një prej kloneve të kopshtit “Detska Radost” në Strumicë. Fëmija nuk është dërguar në kopsht që nga e hëna, ndërsa virusin e ka marrë nga një anëtar i familjes. “Janë marrë të gjitha masat për përhapjen e virusit, ndërsa fëmijët nga ai grup, edukatorët dhe prindërit janë izoluar”, tha dje drejtori i kopshtit Vasil Bubev.

Tri ditë më parë, kopshti i Shkupit “13 Nëntori” në komunën e Qendrës, raportoi rastin e parë të një fëmije të infektuar 15 muajsh. Edhe në këtë rast, fëmijët që ishin në grup me fëmijën e infektuar u vendosën në izolim në shtëpi. Që nga hapja e kopshteve më 9 shtator, për dhjetë ditë ka dy fëmijë të infektuar, nga një në Shkup dhe Strumicë, ndërsa edukatorë nga Shën Nikolla dhe Manastiri. Nënat e fëmijëve deri në moshën gjashtë vjeç dhe ato me leje lindje protestuan dje para Qeverisë, duke kërkuar anulimin e vendimit për t’u kthyer në punë më 23 shtator.

Ata duan që pushimi i lehonisë të zgjatet deri në fund të vitit dhe sipas tyre nuk ka vend në kopshte dhe nuk mund t’i regjistrojnë fëmijët e tyre. Peticioni u nënshkrua nga 3.325 nëna. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe mbrëmë u takuan në Qeveri me disa nga prindërit, të cilët përdorën masën për pushim të lehonisë të zgjatur, e të cilët reaguan ndaj vendimit të Qeverisë që më 23 shtator, të gjithë prindërit e fëmijëve nga 0 deri në 6 vjet të kthehen në vendet e tyre të punës, sepse kopshtet filluan punën më 9 shtator.

Ministrat theksuan se vendimi u mor në bazë të një analize serioze të sigurisë së fëmijëve në kopshte, në konsultim me Komisionin për Sëmundjet Infektive, si dhe në bazë të informacionit që Protokolli i aktiviteteve në institucione përputhet plotësisht me institucionet publike për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve, gjë që minimizon rrezikun e përhapjes së KOVID-19. Qeveria, dje doli me një reagim duke deklaruar se po monitoron nga afër situatën në kopshte dhe se nuk ka vend për panik. Ajo mbetet e përkushtuar në vendimin e prindërve të fëmijëve deri në moshën gjashtë vjeç dhe atyre që ishin me leje të zgjatur të lindjes për t’u kthyer në punë më 23 shtator.

“Me hapjen e institucioneve për kujdes dhe edukim të fëmijëve më 9 shtator 2020 dhe analiza e cila tregoi që kopshtet kanë kapacitet për kujdes të fëmijëve në përputhje me Protokollin për aktivitete në institucionet për kujdes dhe edukim të fëmijëve, i cili deri në minimum e ul rrezikun nga përhapja e virusit KOVID-19, masa prindërit e fëmijëve prej moshës 0 deri në 6 vjet të jenë jashtë nga procesi i punës, e humb kuptimin.Kjo masë periudhën e kaluar ishte në fuqi sepse institucionet publike për kujdes të fëmijëve, gjegjësisht kopshtet nuk punonin.

Sqarojnë se në mënyrë plotësuese, në koordinim me Komisionin për Sëmundje Ngjitëse, u miratua edhe Vendimi për zgjerimin e kapaciteteve të grupeve në kopshte, nga mosha 0 deri në 2 vjet, nga 12 fëmijë në grup, me të cilin institucionet publike për kujdes të fëmijëve kanë kapacitet të plotë për përkujdesjen e fëmijëve të nënave të cilat deri më tani shfrytëzonin mungesë të vazhduar të pushimit të lindjes.

Në përputhje me Protokollin, prioritet për përkujdesje në kopshte kanë fëmijët e prindërve kryefamiljarë dhe fëmijët e dy prindërve të punësuar, me të cilin ndërpritet çfarëdo lloj mundësie fëmijët të mbeten pa përkujdesje të duhur.
Qeveria thekson se e përcjell nga afër situatën në terren dhe varësisht nga nevoja do të marrë vendime që janë në interes të qytetarëve dhe shtetit.

Gjatë 24 orëve të kaluara janë regjistruar 186 raste të reja me Kovid-19 nga 1.674 testime. Në periudhën e njëjtë janë regjistruar edhe 85 të shëruar, por edhe shtatë të vd*ekur. Kanë ndërruar jetë 7 persona një pacient nga Kumanova (53 vjeç), dy pacientë nga Struga (68 dhe 70 vjeç), një pacient nga Gostivari (61 vjeç) dhe tre pacientë nga Dellçeva (43,60 dhe 78 vjeç). Të gjithë pacientët kanë ndërruar jetë në kushte spitali. Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 16.274, numri i pacientëve të rikuperuar është 13.635, numri i vdekjeve është 675, dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 1.964.

Sipas analizave përfundimtare për momentin shpërndarja sipas qyteteve është si në vijim: Shkupi aktivë 564, Kumanova -215, Tetova – 134, Prilepi-119, Shtipi- 72, Struga – 65, Manastiri – 57, Gostivari – 94, Gjevgjelia aktivë 56 (8 persona nga NJR Gjevgjelia janë banorë të Dojranit, 14 të Bogdancit dhe 12 janë shtetas të huaj), Strumica – 77, Koçani – 76, Dellçeva – 75 (29 persona nga NJR Dellçevë janë nga Makedonska Kamenica). Në qytete të tjera, më pak se 50 njerëz janë aktivë.

Në Klinikën infektive gjatë 24 orëve të fundit janë pranuar pesë pacientë. Gjithsej janë hospitalizuar 75 pacientë. Në përkrahje me oksigjen janë 43 pacientë, nuk ka pacientë në ventilim mekanik. Në spitalin në Kozle të hospitalizuar janë tre fëmijë dhe tri nëna pozitivë me Kovid-19,ndërsa katër fëmijë dhe katër nëna dyshohet se janë pozitivë në virusin. Në SPQ “8 Shtatori” janë pranuar tre pacientë, ndërsa gjithsej të hospitalizuar janë 34 pacientë. Në respiratorë mekanik janë katër pacientë.

Në spitalin në Manastir janë hospitalizuar 19, ndërsa në spitalin në Shtip janë të hospitalizuar 44 pacientë. Në repartet infektive në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë, Prilep, Gostivar, Strumicë dhe Strugë janë të hospitalizuar 155, pozitivë dhe të dyshimtë në Kovid-19. Në Shkup më shumë raste aktive ka në Komunën e Aerodromit – 83, Qendër – 82, Gazi Babë – 75, Karposh – 71, Kisella Vodë dhe Çair nga 52, Butel – 33, Gjorqe Petrov – 28, Saraj – 17, Shuto Orizare – 14, Ilinden – 12. Në komunat e tjera ka më pak se 10.

Me moton “Punonjës shëndetësor të sigurt, pacientë të sigurt”, dje u shënua 17 Shtatori – Dita Botërore kushtuar sigurisë së pacientit. Këtë vit, Organizata Botërore e Shëndetësisë e vendosi theksin në sigurinë e punonjësve shëndetësorë, të cilët janë në vijën e parë të luftës kundër virusit KOVID-19, si një nga sfidat më të mëdha shëndetësore me të cilat përballet bota. “Me mbrojtjen e punonjësve shëndetësorë mbrohen edhe pacientët që janë në kontakt me ta”, thonë Ministria e Shëndetësisë.

Baby Boo