Stoltenberg: ftesa për anëtarësim në NATO, sapo Maqedonia të zgjidh kontestin me emrin

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shpreson se Maqedonia dhe Greqia do të arrijnë një zgjidhje të pranueshme të emrit që të mund Maqedonia të marrë ftesë për anëtarësim në Aleancën Veriatlantike.

Kështu u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, pas takimit me ministrat e jashtëm të BE-së në Bruksel, ku mes tjerash, është biseduar edhe për Maqedoninë dhe procesin integrues.

Baby Boo

“E kam vizituar Shkupin ku edhe kam përsëritur se pas zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, Maqedonia do të marrë ftesë, ashtu siç u nënvizua edhe në Samitin e Bukureshtit. Pas zgjidhjes së suksesshme nga negociatat për emrin me Greqinë, do të mbyllet kjo çështje dhe do të vazhdojmë më tutje”,- theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

I pyetur për pengesat e mundshme nga Rusia në procesin e pranimit të Maqedonisë në NATO, Stoltenberg tha se e drejta themelore e çdo kombi është të vendosë se cilit bllok të sigurisë do t’i bashkohet.

Sipas tij, Rusia me vite të tëra është kundër zgjerimit të NATO-s dhe çdoherë proteston për anëtarësim të ndonjë vendi të ri. Por, ne kemi konfirmuar se dyert e NATO-s për zgjerim janë të hapura.

Nëse NATO-ja do të marrë një anëtar të ri varet nga interesi i vendeve. Askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këtë apo të parandalojë këtë proces, përfundoi Stoltenberg.