Stef Blok inkurajon qytetarët të votojnë për të ardhmen e vendit


Shefi i diplomacisë së Holandës, Stef Blok e cilësoi si arritje historike Marrëveshjen për emrin pasi sipas tij i hap rrugën integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike. Blok theksoi se përveç përgjegjësisë së politikanëve edhe qytetarët kanë një rol të rëndësishëm për të ardhmen e vendit të cilën do ta vulosin në referendumin e 30 shtatorit.

E kuptoj se Marrëveshja e Prespës është kompromis i ndjeshëm, por zgjidhja e kësaj çështjeje i hap dyert për të ardhme më të mirë për Maqedoninë. Varet nga të gjithë aktorët politik, duke përfshirë edhe opozitën nëse do ta vazhdojnë këtë rrugë deri në fund. Referendumi është pjesë e procesit demokratik dhe për këtë duhet të shqyrtohen argumentet pro dhe kundër. Iu mbetet qytetarëve tuaj ta marrin vendimin për të mirën e vendit tuaj – u shpreh Stef Blok, Ministër i Jashtëm i Holandës.

Blok tha se Holanda mbështet përcaktimin e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE, por se politika e saj në aspekt të zgjerimit të BE-së mbetet edhe më tej rigoroze. Kështu ai inkurajoi vendin të thellojë përpjekjet për realizimin e reformave, në mënyrë që Holanda të jep mbështetje për fillimin e negociatave për anëtarësim në vitin 2019. Kryediplomati maqedonas, Nikolla Dimitrov nga ana tjetër tha se edhe Maqedonia mbështet politikën rigoroze holandeze, pasi më shumë e dëshiron evropianizimin e vendit sesa anëtarësimin e shpejtë në BE.

Ne e mbështesim këtë politikë, sepse qëllimi ynë nuk është vetëm të bëhemi shtet anëtar në BE, por që shtetin tonë ta bëjmë evropiane. Prandaj ai rigorozitet se sa jemi të mirë në reforma, se sa jemi të përkushtuar, si e kemi gjyqësinë, si luftojmë kundër korrupsionit për ne është shumë më e rëndësishme sesa ajo se kur do të bëhemi anëtare – theksoi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.

Sivjet mbushen 25 vjet të marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë dhe Holandës. Kjo e fundit gjatë gjithë kohës ka qenë një nga investitorët më të mëdhenj të huaj, që ka investuar rreth 3,8 miliardë euro në institucione.

Baby Boo