Spiropali: I biem në qafë Shqipërisë kur themi ‘nuk bëhet’


Ministrja Elisa Spiropali, thotë se ne shpesh i biem shumë në qafë Shqipërisë duke thënë se “Shqipëria nuk bëhet”.

Në një intervistë për emisionin “Rudina”, Spiropali tha se “të nxish vendin tënd nuk është vlerë, përkundrazi…tregon se sa pak vlerë ke ti, individualisht.” Sipas ministres, ne nuk duhet të themi se vendi nuk bëhet pasi Shqipëria i ka të gjitha, ndaj duhet të nxjerrim në pah më të mirën dhe të japim shembuj pozitiv.

“Ne shpesh i biem në qafë shumë Shqipërisë. Pra themi ‘Shqipëria nuk bëhet’, ‘ne jemi vendi më i prapambetur’, ‘njerëzit janë të tillë e të atillë’, nuk është e vërtetë. Jo vetëm në raportet formale të institucioneve që masin zhvillimin e një vendi që Shqipëria ku e ku nuk rezulton një vend i prapambetur, por pa dyshim një vend në zhvillim, me të ardhura mesatare etj, por edhe për sa i përket sjelljes, unë mendoj se Shqipëria ka bërë shumë rrugë drejt progresit dhe zhvillimit, është shumë e bukur. Ka shumë për të ofruar.

Njerëzit, të huajt kur vijnë këtu mahniten në fakt nga Shqipëria. Po të shikosh p.sh. ambasadorët që vijnë në Shqipëri, vijnë duke qarë dhe ikin duke qarë. Por nuk u iket. Është një vend që klimën, diellin, ushqimin, marrëdhëniet mes njerëzve, ngrohtësinë e raporteve njerëzore e ka të madhe, dhe besoj se është mundësia që ne të nxjerrim në pah më të mirën dhe të bëjmë shembuj të mirë, të japim shembuj të mirë, të ofrojmë modele, të shikojmë se si mund të zhvillohemi. Çdo gjë tjetër është banalitet pastaj mendoj, të nxish vendin tënd nuk është vlerë, përkundrazi…tregon se sa pak vlerë ke ti, individualisht”, u shpreh ministrja Elisa Spiropali.

Baby Boo