SNHR: 4,759 civilë të vrarë në Siri gjatë gjysmës së parë të 2018-së


Gjatë gjysmës së parë të vitit në Siri janë vrarë 4 mijë e 759 civilë, në mesin e të cilëve 104 ishin fëmijë dhe 798 gra.

Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) në raportin e publikuar në lidhje me vdekjet e civilëve nga luftimet e grupeve, sulmet dhe torturat bën të ditur se gjatë gjysmës së parë të këtij viti kanë humbur jetën 4 mijë e 759 civilë, në mesin e të cilëve 104 fëmijë dhe 798 gra.

Sipas raportit në fjalë, përcjell TRT, ndërkohë që regjimi i Bashar Al-Asadit gjatë gjashtë muajve të parë ka masakruar 3 mijë e 56 persona, në mesin e të cilëve 616 fëmijë dhe 507 gra, nga sulmet e avionëve luftarak rusë, të cilët përkrahin forcat e regjimit nga ajri, kanë vdekur 398 civilë, ku 138 ishin fëmijë dhe 79 gra.

Në këtë raport gjithashtu bëhet e ditur se gjatë periudhës së njëjtë organizata terroriste DAESH ka vrarë gjithsej 182 persona, ku 43 ishin fëmijë dhe 15 gra, ndërsa në sulmet ajrore të forcave të koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër DAESH-it kanë humbur jetën 254 civilë, në mesin e të cilëve 113 fëmijë dhe 68 gra.

Në raport gjithashtu thuhet se për shkak të grupeve ushtarake opozitare dhe grupit të armatosur, Heyet Tahrir Sham gjatë gjysmës së parë të këtij viti janë vrarë 53 civilë, ku 16 ishin fëmijë dhe 4 gra.

“Ndërkaq organizata separatiste terroriste YPG/PKK ka masakruar gjithsej 112 civilë në mesin e të cilëve 11 fëmijë dhe 18 gra”, thuhet në raport dhe shtohet se edhe 704 civilë, ku 167 ishin fëmijë dhe 107 gra, janë vrarë nga grupet e panjohura.

Në mes tjerash në raport bëhet e ditur se vetëm gjatë muajit qershor në Siri janë vrarë 593 civilë me metoda të ndryshme. /Telegrafi

Baby Boo