Situata me COVID-19 në Tetovë më e qetë


Situata me të prekurit nga korona në Gostivar edhe më tej paraqitet e rënduar, tre persona kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit. Në spitalin e Gostivarit për momentin janë të shtrirë 53 pacientë, nga të cilët 35 janë në mbështetje oksigjeni. Nga reparti infektiv thonë se vende të lira ka në spitalin modular, por janë pa kyçje oksigjeni.

“Apeloj deri tek të gjithë banorët, të vaksinohemi, sepse edhe me vaksinë mund të ju zë virusi por simptomat e atyre që kanë marrë vaksinën janë me formë shumë më të lehtë se sa tek ata që nuk kanë marrë vaksinën”, tha Dr. Ratko Naumovski përgjegjës i repartit infektiv në Gostivar.

Nga ana tjetër, interesimi për të marrë vaksinën në qytetin e Gostivarit është shtuar. Tek pika e vetme e vaksinimit, turmat janë bërë përditshmëri. Banorët shprehen të revoltuar se presin me orë të tëra dhe nuk arrinë dot të marrin vaksinën.
“Prej në mëngjes pres, prej në mëngjes, numra na dhanë se për së pari e marrim. Po prej në 7 e 20 pres. Kur të vij radha atëherë do hyjmë”.
“Erdha të premten thanë nuk ka, hajde të hënën erdha edhe sot, ja numrin ma kanë dhënë prit, prit të parën dozë të dytën dozë askërkundi hiç. Çka të bëj më thoni ju, asgjë s`respektohet si kafshët në treg jemi”.

Për dallim prej Gostivarit, në Tetovë situata paraqitet më e qetë. Numrat me të infektuar bashkë me kontrollet ambulatore kanë rënë, shtimi i pikave të vaksinimit, ka bërë që turmat para tyre të reduktohen.
“Brenda 24 orëve të fundit në Tetovë kemi një ulje të numrit të hospitalizuarve. 116 të hospitalizuar kemi, që të gjithë në oksigjen dhe fatkeqësisht kemi dy të vdekur të moshës mbi 50 dhe mbi 80 vjeç. Edhe pranimet janë ulur, kemi nëntë në 24 orët e fundit. Nga këta 116 të hospitalizuar të gjithë janë të pavaksinuar plotësisht, vetëm gjashtë me një dozë vaksinimi. Apeloj tek gjithë qytetarëve të vaksinohen se kjo është mënyra e vetme për t’u mbrojtur, ju lutem vaksinohuni”, tha Miranda Pajaziti, Kovid qendra Tetovë.

Përndryshe, deri në ditën e sotme, në Tetovë dhe komunat për rreth, përqindja e vaksinimit ka arritur në 40 për qind të popullsisë. Numri i atyre që duan të vaksinohen është rritur pas masave të fundit të komisionit për sëmundje ngjitëse, por edhe shtimit të pikave për vaksinim brenda qytetit

Baby Boo