Si u formuan trupat sambiste dhe detyrat e tyre “tepër sekrete”


Një bërthamë e posaçme, me policë sambistë. Kjo ishte ajo që u krijua në vitin 1983 dhe që kreu detyra të cilësuara sit ë posaçme në ato vite të fundit të komunizmit. Nën një armatim special, reparti i këtyre djemve të stërvitur enkas, arriti që të kryente shërbime të veçanta të ruajtjes së personaliteteve, apo edhe qetësisë në rang vendi. Të gjitha vijnë përmes një rrëfimi të posaçëm për “Albanian Free Press”, nga eksperti i trupave special, Hil Lushaku…

Si u krijua e ashtuquajtura, “Bërthama me policë sambistë”?

Në vitin 1983, ishte krijuar një bërthamë me policë sambistë, mundës kampionë, ndër të cilët Ndue Doda, Jak Marku, Pëllumb Qose, Maksim Bufi, Maksim Kurti, Bujar Sina dhe peshëngritësi rekordmen, Aleksandër Kondo; futbollisti Alfred Topçiu, etj. Nga disa shkresa të komandës së repartit konsiderohej shqetësim fakti se ata nuk vinin ditë për ditë në repart, por vijonin përgatitjen në klubet sportive dhe paraqiteshin vetëm në ditën e shpërndarjes së pagave mujore.

Viti 1984 shënoi konsolidimin e mëtejshëm të repartit special dhe evidentoi shumë shërbime. Një i tillë angazhoi shumë shërbime në periudhën 20-23 janar, në Vlorë, në festën e përkujtimit të krijimit të Brigadës V partizane, ku kishte qenë efektiv edhe Kadri Hazbiu, pushkatuar në mesnatën e 9 shtatorit 1983. Më pas, u kryen shërbime në Përmet, në festën përkujtimore të Brigadës VI dhe në mars, në Skrapar, në festën e Brigadës VII. Gjithashtu, në 3-mujorin e parë të vitit 1984 reparti kreu disa shërbime edhe në mbështetje të policisë në rrethet Tiranë e Elbasan, mbasi kishte të dhëna se aty “po intensifikohej e ashpërsohej veprimtaria kriminale”.

Mund të përmendësh ndonjë shërbim të veçantë të trupave sambiste?

Në periudhën 3-8 mars 1984, trupa speciale e sambistëve kreu dy shërbime spektakolare në kapjen e personave të armatosur, cilësuar si shumë të rrezikshëm dhe me tendenca terrori, përkatësisht në afërsi të ndërmarrjes “Rruga-Ura” dhe hotel “Arbëria”. Gjatë vitit 1984, u kryen disa shërbime me forcat speciale në rrethet Tiranë, Fier dhe Shkodër, për mbarëvajtjen e rregullit e të qetësisë në ndeshjet sportive në stadiumet e këtyre rretheve, mbasi kishte informacione për konfrontime të tifozërive dhe akte të rënda kriminale. Periudha maj-qershor shënoi shërbime të pandërprera, duke filluar me angazhimet në garantimin e qetësisë në festimin e parakalimin demonstrativ fizkulturor-sportiv në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në periudhën 18-25 maj 1984 u kryen shërbime edhe në Përmet, gjatë festimit përkujtimor të Kongresit dhe krijimit të Brigadës XII.

Po ashtu, në maj u kryen shërbime edhe në Pukë, për sigurimin e rendit shoqëror e zhvillimin normalisht të gjyqit ndaj disa personave të cilësuar shumë të rrezikshëm dhe që përflitej se mund të kishin mbështetje apo tentativa për t’i ndihmuar. Referuar një dokumenti “sekret”, titulluar në lëndë “Mbi ngjarjen e ndodhur në datën 22 maj 1984 në regjimin e të dënuarve të repartit 311, Qafë Bari”, i cili mban datën 27 maj 1984 dhe është nënshkruar nga drejtuesit e lartë të burgut, kuptohet qartë se çfarë po përgatitej në burgje, cila ishte gjendja e brendshme e tyre, si dhe evidentohet roli i specialëve në rivendosjen e situatës. Aty shkuan edhe drejtuesit më të lartë të Policisë Popullore dhe krerët e “Policisë Sekrete”, duke pasur në veprim policët pikërisht sambistë, që e shtypën revoltën. Raporti i datës 27 maj 1984, i komandës së repartit nr. 311, (kështu emërtohej atëherë struktura drejtuese e burgjeve), saktësonte përfundimisht rrethanat e revoltës pas analizave të hollësishme të bëra në të gjitha hallkat e institucionit të riedukimit.

Pjesa kryesore e tij përmbledh përshkrimin kronologjik të ngjarjes, që zë fill me njoftimin e orës 07.30, date 22.05.1984, sipas të cilit dy të burgosur të turnit të tretë, Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla nuk kishin realizuar normën në galeri dhe sipas rregullores së kampit duhej të riktheheshin me turnin në vijim, gjë e cila më pas solli një situatë shumë delikate dhe e detyroi qeverinë të përdorte forcat speciale në shtypjen e saj. Në periudhën maj-qershor reparti kreu shërbime shembullore edhe në Durrës. Kështu, grupi i drejtuar nga Nasi Kërri kapi në flagrancë shumë persona me tendenca kriminale, persona kontingjente që prishnin rendin juridik socialist, si edhe persona të kërkuar.  Edhe këtë vit nuk u ndërpre shërbimi në Pogradec, për rritjen e efikasitetit të tyre gjatë periudhës së pushimeve, qershor-gusht. Po kështu, pati aktivizim të trupës speciale në garantimin e qetësisë gjatë vizitës së Ramiz Alisë në Shkodër. Në vitin 1984, pas revoltës së të burgosurve në Qafë Bari, sambistët u aktivizuan në shërbime për kontroll në zbatimin e rregullores së regjimit të brendshëm në burgun e Sarandës, i njohur si “Reparti i Riedukimit”, në fshatin Përparim.

Po ashtu, në korrik 1984, u krye shërbim në Durrës për shoqërimin e disa personave të rrezikshëm dhe sigurimin e normalitetit në gjykatën e rrethit gjatë zhvillimit të gjyqit të tyre. Kurse në gusht u krye shërbim në repartin e riedukimit në Spaç, me objekt kontrollin e zbatimit të rregullores së brendshme mbi regjimin e të dënuarve. Po ashtu, u krye një shërbim i lodhshëm edhe në Helmës, Skrapar, për rritjen e masave të sigurisë në kremtimin e 40-vjetorit të mbledhjes aty të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë. Pa harruar edhe që gjatë verës, u krye shërbim i pandërprerë për sigurimin e pushimit të udhëheqjes në Durrës. Por edhe kremtimin në tetor në Berat, të 40-vjetorit të krijimit të qeverisë së parë demokratike shqiptare.

Po a nuk kishin shumë ngarkesë këta sambistë?

Po. Ngarkesa e madhe e shërbimeve dhe nevoja për punonjës të gatshëm e pati detyruar komandën e repartit, në muajin maj të viti 1984, t’u kërkojë zyrtarisht autoriteteve të larta të MPB që të shikonin mundësinë e largimit të disa policëve cilësorë nga reparti, për shkak të angazhimeve të tyre në shumë veprimtari sportive kombëtare (shkresa përmend mundësit kampionë kombëtar Jak Marku, Ndue Doda, Pëllumb Qosja, Maksim Bufi dhe futbollistin Albert Topçiu), me argumentin se kjo sjell ngarkesë në punën e të tjerëve dhe pengon stërvitjen, madje për Topçiun propozohej që të largohej nga reparti, mbasi nga emërimi i tij më 1 shtator 1983 e deri në maj 1984 nuk ka kryer asnjë ditë stërvitje me grupin special në vartësi, detyrë të cilën e ka kryer instruktori Vadim Lila, i cili propozohet të zëvendësojë futbollistin Topçiu. Në pranverën e vitit 1984 u shtua numri i policëve sambistë me pagesë, të rekrutuar me testime rigoroze, të cilët iu nënshtruan në vijim stërvitjeve speciale.

Po armatimi dhe pajisjet e tyre, a ishin më të sofistikuara se të trupave të tjera?

Në këtë periudhë komanda kërkon edhe pajisjen e trupës sambiste me armë brezi, pistoleta “TT”, për gatishmëri dhe për rritjen e sigurisë individuale. Me qëllim vënien plotësisht në eficiencë të togës sambiste, komanda e repartit kërkoi një shtesë në organikë, në funksionin “instruktor i përgatitjes së sambos”, duke specifikuar që ai të jetë oficer. Në vijim të kërkesës, shënohet se të dyja togat sambiste duhet të pajisen me radio lajmëruese, të tipit “Florian-2000”, në sasinë 44 copë, për të gjithë efektivin sambist, duke zbuluar kështu edhe numrin e sambistëve me rrogë. Lista e kërkesave shënon edhe futjen në organikën e togave sambiste të radios “Storno” 3W (gjithsej 9 copë), aparat fotografik tip TS-247 Robot SC Elektronik (10 copë), mikrobusë (3 copë) dhe një mikrobus i blinduar. Në historikun e repartit, për vitin 1984, është shënuar edhe veprimi i zgjuar e i guximshëm i shoqëruesit të qenit Besim Uka dhe policit Vaskë Tanto, në kapjen e vrasësit të armatosur Gjon Ndue Jaku nga fshati Pllanë i Lezhës, më 1 korrik 1984, operacion i drejtuar nga drejtori i Policisë Popullore, Kasëm Kaçi, së bashku me komandantin e repartit, Nexhmi Zoto.

Si u bë zbulimi i tij?

Për zbulimin e këtij autori ndikoi mjaft në radhë të parë ruajtja dhe këqyrja që iu bë vendit të ngjarjes. Së dyti: verifikimet që u bënë lidhur me serinë e letërnjoftimit, ku u konkludua se kjo seri mund të ishte e rretheve Shkodër, Lezhë ose Elbasan. U përcaktua qartë se letërnjoftimi ishte e falsifikuar duke i ndryshuar emrin, atësinë dhe mbiemrin, nga Gjon Ndue Jaku në Gjonvid Ndokov Jakova, si edhe numrin e serisë. Me këtë letërnjoftim, autori ishte regjistruar disa ditë më parë në hotel Valbona, Vjosa dhe Drini.

Për të gjitha këto u mor kontakt me degët e rretheve dhe u mësua se në fshatin Pllanë të rrethit të Lezhës para disa ditësh ishte thyer depo e armëve të këtij fshati ku ishte marrë një automatik i tipit “P.P.S” dhe se dyshohej se autori mund të ishte Gjon Ndue Jaku nga fshati Zejmen, i cili para disa kohësh kishte shfaqur mendimin se do të vriste kryetarin e këshillit dhe ish-burrin e motrës së tij. Për të gjitha këto të dhëna e versione u vendos që për autorin në fjalë të shpallej kërkimi në shkallë republike. Kjo dhe për faktin se ai nuk ndodhej në shtëpi. Por cilat qenë disa nga anët pozitive e negative të veprimeve që u kryen për kapjen e këtij autori: Pozitiv ishte fakti se ky shërbim u tregua në lartësinë e duhur për të kryer detyrën e ngarkuar. Gjithsesi, në kryerjen e kësaj detyre u vunë re edhe disa mangësi të cilat në raste të tilla mund të sjellin pasoja. Kështu, në disa momente në mes nëngrupeve të kërkimit dhe forcave të bllokimit nuk pati bashkëveprim e ndërlidhje, për të cilat ndikoi edhe terreni i thyer e i pyllëzuar. Gjithashtu, në raste të veçanta edhe brenda nëngrupit, veprimet nuk u kryen sipas porosive të dhëna.

Si shpërbleheshin nga ana materiale trupat sambiste?

Në korrik 1984 gjejmë në dokumentet arkivore edhe propozime për dekorime të tyre. Kështu, teksa viti 1984 ishte viti i 40-vjetorit të çlirimit, për nder të tij, më 29 nëntor u zhvillua një nga paradat ushtarake më të mëdha në Shqipërinë e pasçlirimit. Sambistët u përfaqësuan me një kuadrat, i cili mori vlerësime të larta për paraqitjen rreshtore dhe parakalimin dinjitoz, madje u dekorua me “Urdhrin e Shërbimit Ushtarak të Klasit të Tretë”, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Kurse në fundin e vitit 1984, referuar informacionit që komanda e repartit i dërgoi Drejtorisë së Policisë, pasqyra e gjendjes së kompletimit të repartit ka të dhënat në vijim: oficerë në organikë-28, gjendje-27, mangët-1; nënoficerë në organikë-36, gjendje-32, mangët-4; policë sambistë me rrogë në organikë-38, gjendje-20, mangët-18; policë ushtarë të shërbimit të detyrueshëm aktiv në organikë 228, gjendje 226, mangët-2; civilë në organikë-10, gjendje-9, mangët-1; në total organika ka 338 vetë, gjendje në kompletim janë 312, mangët 26 vetë. Këtu janë me interes të jepen edhe të dhënat për armatimin e repartit, gjendja e të cilit paraqitet si më poshtë: pistoleta, automatikë e mitraloza të lehtë sikurse kanë strukturat ushtarake, pushkë snajperë-3 copë, granatahedhës të lehtë-3 copë, flakëhedhës të lehtë-3 copë. Në këtë kohë reparti posedonte edhe 3 vetura, 10 kamionë, një mikrobus, një tricikël dhe tre qen 102 (për gjurmë e sulm).

Viti 1985 kur vdiq Enveri, angazhim total për ruajtjen e qetësisë publike

Viti 1985 pati shumë angazhime të repartit të sambistëve në shërbime gatishmërie, sidomos në prill të atij viti, kur u shënua vdekja e udhëheqësit komunist, Enver Hoxha. Një rast ky që solli shërbim gatishmërie e mobilizimi në masën 100% të efektivit kuadër dhe policë në repart, e angazhim total në qytetin e Tiranës për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë. Në shumë analiza pune me kuadrot dhe efektivat, ky problem është cilësuar në një anë “humbje e madhe” e në anën tjetër është shfrytëzuar për apel ndaj të gjithë efektivit që të punojë me disiplinë të lartë, mobilizim të madh, përkushtim në përvetësimin e programit dhe përmbushjen e detyrave.

Nën nxitjen e fjalimeve të Ramiz Alisë, mbas vdekjes së Enver Hoxhës, komanda e repartit ka intensifikuar punën për forcimin e disiplinës në repart dhe ka “fshikulluar” përveç shumë personave të indisiplinuar edhe personat përgjegjës, oficerë e nënoficerë. Atë vit reparti kreu shërbime të shumta në rrethet: Kukës, Fier, Vlorë, Durrës, Tiranë, Korçë, Shkodër dhe në repartet e riedukimit, në Qafë Bari e në Spaç, në kapjen e një të larguari nga Reparti i Riedukimit në Batër, arrestimin e disa personave dhe grupeve të cilësuara “me rrezikshmëri të madhe shoqërore”, ku janë veçuar kuadrot Muharrem Abazi, Ilia Nasi, Ismet Reçi, Muhamet Dyrmishi dhe policët Lorenc Jani, Maksim Kurti, Shyqyri Çitozi, Petref Xheli, Arben Llupi, Ali Almeta, Hamdi Matja, Agim Sulçe etj. Në periudhën qershor-gusht 1985 krahas shërbimit të përvitshëm në Durrës, për rendin e sigurinë në plazh dhe në përforcimin e shërbimeve për bllokun, reparti kreu shërbime në sigurimin e vizitave të Ramiz Alisë në rrethet Kukës, Shkodër, Dibër, Korçë, Kolonjë, etj./Për “Albanian Free Press”: Albert Zholi/

Baby Boo