Shumica e gazetarëve heshtin për presionet


Rreth 90% të gazetarëve zgjedhin të heshtin, kur bëhet fjalë për presionet që u shkaktohen nga pronarët e tyre dhe nga partitë politike. Kështu thotë analiza e storjes hulumtuese “Dhuna e padukshme: Storje nga redaksitë”, e cila është bërë për pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, Bosnje Hercegovinën, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Ky hulumtim, bën të ditur autorja Biljana Sekullovska, ka zgjatur 5 muaj dhe ka nxjerrë në pah storje të pa dëgjuara deri më tani, se me çfarë presione dhe situata tjera të pa dëshirueshme përballen gazetarët. Ndërsa çështje kyçe mbetet edhe më tej, paga e tyre e cila edhe më tej mbetet një temë e diskutueshme, njofton Shenja.

Biljana Sekullovska, autore e hulumtimit nga Maqedonia

“Çështja është komplekse, por ka dy arsye. Para se gjithash ka shtypje politike dhe shtypje nga redaksitë nga ana e redaktorëve, nga pronarët, ndërsa në preskonferencat nga politikanët. Çështja tjetër është për të drejtat e punëtorëve, pra të drejtat e gazetarëve, pamundësia për të punuar në kushte normale pune, pamundësia për të marrë paga dinjitoze…Dilema është se si gazetarët mund të tërhiqen nga kjo situatë, por fatkeqësisht 90 % nga gazetarët kanë heshtur gjatë këtij hulumtimi, ose kanë insistuar të mbeten anonim”.

Zarka Radoja nga Serbia, e cila po ashtu ka punuar në këtë hulumtim, thotë se situatë e ngjashme është në të gjitha këto pesë vende ku është bërë ky hulumtim. Ajo shprehet e shqetësuar për atë se çfarë ka dëgjuar nga storjet e gazetarëve, se në çfarë kushte e zhvillojnë profesionin e tyre.

Zarka Radoja, autore e hulumtimit nga Serbia

“Situata në Serbi është ngjashëm me katër vendet e tjera. Gazetarët ballafaqohen me censurë, me mobing dhe të drejta të cunguara të punëtorit dhe të natyrës tjetër. Nuk kanë liri të mjaftueshme gjatë punës. Më së shumti na shqetëson fakti që ndoshta edhe nuk e kemi ditur, është frika e madhe me të cilën kolegët tanë e bëjnë punën e tyre. Në një vend ku gazetarët e bëjnë punën e tyre me frikë, nuk mund të quhet shoqëri e lirë”.

Mesazhi i tyre drejt gazetarëve ishte që ta ngrisin zërin dhe të luftojnë për të drejtat e tyre, në mënyrë që këto problematika të mënjanohen dhe të mos ju nënshtrohen presioneve të llojeve të ndryshme.

Baby Boo