Shumë “pluhur” për Tetovën! Koalicionet në dilema, Teutën apo Bilallin?


Alternativa këmbëngulë në qëndrimin se nuk e mbështesin Bilall Kasamin në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale në Tetovë. Për dallim nga partneri i koalicionit Aleanca për Shqiptarët që thonë se kjo çështje mund të shqyrtohet, alternativasit nuk lëshojnë pe.

Në një komunikimin përmes mesazhit, anëtari i kryesisë qendrore të kësaj partie, Zeqirija Ibrahimi, u shpreh se “nuk kanë çfarë thonë pas asaj që e ka thënë Orhan Murtezani mbrëmë”. Eshte kerkuar qëndrim edhe nga Ibrahimi edhe nëse Alternativa është e unifikuar rreth këtij qëndrimi ose ka mendime ndryshe, por përgjigje konkrete për këtë nuk morëm.

Për të njëjtën çështje e pyetëm edhe anëtarin tjetër të Alternativës, Skender Rexhepin – Zejdi. Ai nuk është i prerë sa ç’është bashkëpartiaku i tij Ibrahimi. Zejdi shprehet se për bashkëpunimet duhet të vendosen organet e të dyja partive, duke aluduar në Kuvendet Qendrore të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Shton edhe se çdo e keqe shqiptarëve në Maqedoni u vjen nga BDI.

“Për bashkëpunimet eventuale dhe përkrahjet në rrethin e dyte duhet të vendosin organet kompetente në të dyja partitë, por ajo që është e rëndësishme është se të gjitha të këqijat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë si pasojë e keqmenaxhimit të pushtetit qendror dhe atë lokal nga ana e BDI-së, andaj sa me herët kjo e keqe te largohet nga vendbanimet shqiptare aq më mirë do të jetë për shqiptarët”, tha Rexhepi.

Mbrëmë në ClickPlus, Elmi Aziri, nënkryetar i ASh-së, shprehi gatishmëri për ta mbështetur Kasamin në Tetovë.
“Natyrisht, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa si bllok opozitar ne jemi të gatshëm që ta përkrahim Bilall Kasamin në komunën e Tetovës. Po, po, është Bilall Kasami ai që duhet të vijë”, tha Aziri në ClickPlus.

Një orë pas kësaj deklarate, zëdhënësi i Alternativës, Ohran Ibrahimi, me përgjigje: “Bëj të ditur që Alternativa nuk e mbështetë Bilall Kasamin në Tetovë”.
Për sot është paralajmëruar një takim mes sekretarit të përgjithshëm të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dhe atij të Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha në Gostivar.

Baby Boo