Shqiptari ankohet për masat anti-Covid në Zvicër, Gjykata i dërgon një faturë mbi 4 mijë euro

Përfundimi i vendimit: Për shkak të pandemisë vdekjeprurëse, masat mbrojtëse janë “në interesin publik” dhe bëjnë pjesë brenda kornizës ligjore.
Naim Rashiti nga Fahrweid i Cyrihut ZH ka paraqitur një padi në Gjykatën Administrative të Kantonit të Cyrihut kundër Këshillit Qeveritar të Cyrihut. Pasi që padia i është hedhur poshtë, ai duhet të paguajë një faturë prej 4695 frangash për shpenzimet procedurale, raporton blick.ch.

Rashiti ashtu si dhe shumë njerëz tjerë skeptikë ndaj koronës, beson se pandemia e koronavirusit është e rrejshme, gjegjësisht, është një komplot i madh.
Por, ndryshe nga bashkëmendimtarët e tij, ai nuk u mjaftua me kaq. Në fillim të shtatorit, Rashiti ka bërë një anjesë gjyqësore të cilën e ka drejtuar në Gjykatën Administrative të kantonit. Aty ai akuzon Këshillin Qeveritar të Cyrihut rreth masave mbrojtëse të koronës që kishte marrë.

Mirëpo sulmi dha një efekt të kundërt: Gjykata, në vendimin që mori në fillim të dhjetorit, hodhi poshtë ankesën në të gjitha pikat, përcjell albinfo.ch. Për më tepër, ajo i dërgoi Rashitit një faturë prej mbi 4695 frangash.
Ai thotë se ishte treguar “naiv”. Këtë e pohon në “Telegram”, një platformë online e skeptikëve të koronës. Dhe: “Më vjen të vjell kur lexoj verdiktin”, shkruan ai veç tjerash.

Në ankesën e tij kundër masave të pandemisë, Naim Rashiti, me një imagjinatë të bujshme kishte shkruar se “qysh para shpërthimit të pandemisë tashmë kishte indikacione për një komplot. Në vitin 2019, politikanë, industrialistë, zyrtarë ushtarakë, gjigandë të kompanive të teknologjisë dhe pronarë të mediave në Zvicër ishin takuar në samitin e Bilderberg-ut për të biseduar prapa dyerve të mbyllura”. Këtu mund të ishte planifikuar komploti i madh, sipas tij.
Ky skeptik i pandemisë së koronavirusit ka gjithashtu një mendim specifik në lidhje me maskat: Ato shkaktojnë marrje më të dobët të oksigjenit dhe sjellin një “efekt negativ placebo duke bërë që njerëzit të kenë frikë nga njëri-tjetri dhe, si rrjedhojë, të sëmuren”, përcjell albinfo.ch. Po ashtu, sipas tij, testet e koronavirusit nuk funksionojnë fare.

Por, me asnjërën nga këto teori ai nuk ka arritur të bindë Gjykatën Adminsitrative të Cyrihut. Vetë Rashiti e ka hedhur vendimin gjyqësor me shkrim në internet. Gjykata administrative e hedh poshtë ankesën e tij, me një tekst prej 24 faqesh.
Përfundimi i vendimit: Për shkak të pandemisë vdekjeprurëse, masat mbrojtëse janë “në interesin publik” dhe bëjnë pjesë brenda kornizës ligjore.

A do të merret së shpejti Gjykata Federale me lëndën e tij?
Ndoshta më e keqja vjen në faqen e fundit: Për sqarimet gjyqësore lidhur me koronën, Rashiti merr një faturë prej 4695 frangash që duhet ta paguajë.
Tani ai është duke kërkuar avokatë midis skeptikëve të koronës në Telegram. Rashiti, sipas konfirmimit të tij për Blick, po shqyrton mundësinë që çështjen ta shtyjë edhe në Gjykatën Federale. Ai gjithashtu thotë se dëshiron t’i qëndrojë mbrapa veprimit të tij me emrin e tij. Sepse, kredoja e tij është: “Unë nuk kam nevojë të fshihem për drejtësi”.