Shqipja zyrtare në Gazi Babë, kreu i komunës i shmanget prononcimit


“Në këtë tabelë në të cilën shkruan “Opstina Gazi Baba”, së shpejti emri i komunës do të duhet të jetë edhe në gjuhën shqipe, pasi shqiptarët në komunën në fjalë janë mbi 20 % sipas të dhënave nga regjistrimi i fundit i popullsisë. Që në mëngjes tentuam të kontaktojmë me kryetarin e Gazi Babës për të diskutuar për këtë dhe për të kuptuar se kur duhet të nisë zbatimi i Ligjit të Gjuhëve. Edhe pse i njëjti tha se ishte i gatshëm të flasë për këtë çështje, por më pas nuk përgjigjej në telefon edhe pse tentuam dhjetëra herë”.

Zbatimi i ligjit në fjalë fillimisht duhet të jetë në rend dite në seancën e Këshillit, ku 17 këshilltarë janë nga VMRO-ja, 7 nga LSDM-ja, 2 nga E majta dhe 1 nga BDI-ja. Këshilltarët e VMRO-së nuk gjetën kohë të japin qëndrimin e tyre për këtë çështje. Kolegu i tyre nga BDI-ja Safet Ademi, tha se komuna është duke pritur kërkesë zyrtare nga Ministria për Sistem Politik, ajo e Vetëqeverisjes lokale si dhe nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale.

“Po me siguri do të na duhet një kohë pak më e gjatë. Të shohim pas shpalljes së rezultateve zyrtare të regjistrimit të popullsisë se cilat janë detyrimet e këshillit, të komunës për implementimin e gjuhës shqipe. Besoj se nuk do të jetë aq problem për implementimin e gjuhës shqipe, sa do të jetë problem për sigurimin e kuadrove të cilët do të duhet të bëjnë përkthimin e të gjitha materialeve”, tha Safet Ademi- Këshilltarë, BDI.

Këshilltari i LSDM-së në këtë komunë, Berat Veseli, tha se do të ndërmarrin të gjitha hapat që gjuha shqipe të jetë gjuhë e dytë zyrtare edhe në Komunën e Gazi Babës.

“Edhe në Komunën e Gazi Babës jemi mbi 20% në seancën e parë të këshillit ne do të kërkojmë diçka të tillë, presim edhe zyrtarizimin e rezultateve nga ministritë. Do t’I ndërmarrim të gjitha hapat e duhura për implementimin e gjuhës shqipe”, u shpreh Berat Veseli Këshilltarë, LSDM.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët përbëjnë 20.3% të numri të përgjithshëm të banorëve në këtë komunë. Në regjistrimin e vitit 2002 kjo përqindje ishte 17.21.

Baby Boo