Shqipëria fiton në Hungari dhe tani është një hap më pranë ëndrrës së madhe


Duhej një fitore ndaj Hungarisë për të mbajtur gjallë ëndrrën Katar 2022 dhe e bëmë sërish falë Armando Brojës, që ashtu si në “Elbasan Arena”, edhe në Budapest erdhi nga stoli për të bërë lëmsh mbrojtjen maxhare dhe për të dërguar topin në rrjetë.

Shqipëria e Rejës bind sërish dhe rregullon bilancin ndaj një Hungarie, që na kishte mposhtur gjithmonë, por atëherë nuk luante Armando Broja, i cili ka shënuar dy golat e vetëm në histori, në portën maxhare, duke na dhënë një tjetër 3-pikësh, që na mban në vendin e dytë me 15 pikë.

Kuqezinjtë bëjnë një ndeshje mjaft të mirë e me autoritet në “Puscas Arena” dhe i shkuan shumë pranë golit me Myrto Uzunin dy herë dhe Klaus Gjasulën në pjesën e dytë, por pa rezultat deri kur trajneri Reja vendos të freskojë sulmin me aktivizimin e Manajt dhe Brojës.

Në një mbrëmje mjaft të rëndësishme, që u komplikua nga dëmtimi i pafat i Berat Gjimshitit, kuqezinjtë tregojnë sërish vlerat në fushë dhe marrin një fitore historike, që do të marrë edhe më shumë kuptim, nëse shoqërohet me 3 pikë të tjera ndaj Polonisë në martën në “Air Albania”.

Baby Boo