Shkup: Protestuesit djegin marrëveshjen me Greqinë


Përderisa brenda po zhvillohej seanca për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë, jashtë kuvendit të njëjtës marrëveshje iu vu flaka.

Protestuesit revoltën e tyre e shprehën përmes brohoritjeve dhe këngëve patriotike maqedonase.

“Kjo marrëveshje as nuk duhet e as nuk do të kalojë. Mund të kalojë vetëm në këtë Qeveri jo legale, me kryeministër jo legal dhe koalicion jo legal”, tha një protestues.

“Kur të ketë referendum askush të mos dalë. Ta bojkotojmë sepse ne tashmë jemi deklaruar, ekzistojmë dhe do të ekzistojmë”, tha një protestuese.

Pas fjalimeve dhe thirrjeve kundër marrëveshjes, u nisën për tek selia e VMRO-DPMNE-së, por rrugës ndaluan përballë zyrës e Presidentit Ivanov për t’i dhënë kurajë.

Ndërkaq përpara godinës së opozitares VMRO-DPMNE, kërkuan që kjo parti t’i bashkohet protestuesve.

“Do të kërkojmë nga Hristijan Mickovski që grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së të japë dorëheqje dhe të dalin këtu jashtë me popullin ku e kanë vendin. Të mos marrin pjesë në seanca dhe as në debate komisionesh, nëpër të cilat flitet për shitjen e interesave shtetërore maqedonase”, tha Strasho Ollumçev, kryetar i këshillit nacional mbarëmaqedonas.

Nga sheshi “VMRO-DPMNE” sërish u kthyen përpara Kuvendit për ta vazhduar protestën. Si shpesh herë edhe sot protestuesve u interesonte përkatësia etnike e gazetarëve në terren.

“Protestuesi: Më falni, çfarë jeni me nacionalitet?

Gazetari: Unë këtu jam gazetar.

Protestuesi: Jo ti je shqiptar. Ty shumë të bëhet vonë nëse ne do ta ndërrojmë emrin ose jo. Sidomos juve shqiptarëve nuk u bëhet vonë nëse do ta ndërrojmë emrin apo jo…”

Baby Boo